Nga Adri Nurellari
Deklarimi i Kryeministrit për hapjen e katër universiteteve të reja u duk si një tjetër përsëritje e strategjisë së tij të njohur; sa më i madh dështimi, aq më madhështor mashtrimi. Kur një sektor i qeverisjes rrënohet, qeveria nuk pranon bilancin, nuk analizon shkaqet dhe nuk riparon institucionet por shpall një projekt edhe më të madh, i vendos një emër ndërkombëtar dhe e mbulon realitetin e hidhur me propagandë vezulluese. Kjo me sa duket po ndodh edhe me këtë ide absurde për arsimin e lartë. Universitetet ekzistuese po humbasin masivisht studentë, financimi mbetet ndër më të ultit në Europë, kërkimi shkencor është pothuajse simbolik dhe institucionet shqiptare mezi shfaqen në fund të renditjeve ndërkombëtare për cilësinë. Përgjigjja e qeverisë ndaj kësaj krize nuk është reformimi e fuqizimi i tyre, por premtimi për katër universitete të tjera në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë.
Për më tepēr kemi një problem serioz logjik dhe institucional sepse universitetet janë shpallur para publikimit të studimit përfundimtar. Studimi i fizibilitetit nuk është dokument që shkruhet pasi Kryeministri ka shpallur përfundimin. Ai duhet të parapërcaktojë nëse universitetet duhen hapur, jo të prodhojë më pas arsyetimin për një vendim që politikisht është marrë tashmë. Poashtu nëse qeveria i ka pedagogët, fondet dhe partnerët prestigjiozë për një projekt të tillë ambicioz, pse nuk i investon në universitetet ekzistuese. Hapja e institucioneve paralele është faktikisht pranim se qeveria ka hequr dorë nga riparimi i tyre dhe meriton notën katër si ide.
Këtu duhet theksuar çdo universitet i ri kërkon rektorat, senat, borde, dekanate, administratë, zyra, godina, mirëmbajtje dhe personel mbështetës. Një pjesë e konsiderueshme e parave do të shkojë për strukturën burokratike përpara se të arrijë te studenti, pedagogu apo laboratori. Këto shpenzime operative të reja të fragmentuara përmbajnë rrjedhimisht kosto të lartë oportune. Ato do të mjaftonin për të dyfishuar fondin kombëtar të kërkimit shkencor, për të financuar bursa dinjitoze doktorature në Shqipëri ose për të pajisur me laboratorë modernë degët ekzistuese të inxhinierisë dhe mjekësisë. Pikërisht këtu lind dyshimi se universitetet e reja mund të kenë më shumë vlerë politike sesa akademike. Një universitet i ri krijon poste, emërime, tenderë, ndërtime, logo dhe ceremoni inaugurimi që kanë efekt elektoral. Riparimi i një universiteti ekzistues, përkundrazi, është më pak spektakolar pasi kërkon standarde, konkurse të ndershme, vlerësim të pedagogëve, depolitizim, investime në laboratorë dhe rezultate që nuk prodhohen brenda një sezoni elektoral.
Në një vend me rritje demografike, ekonomi në zgjerim dhe universitete të mbushura përtej kapaciteteve, hapja e institucioneve të reja mbase mund të konsiderohej si shenjë zhvillimi. Mriëpo në Shqipërinë e sotme, ku numri i të rinjve po bie, auditorët po zbrazen dhe ka më shumë kuota se aplikantë, ajo ngjan më tepër me përpjekjen për ta fshehur tkurrjen pas zgjerimit artificial burokratik. Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013, pati rreth 33 mijë maturantë që aplikuan për universitet ; ndërsa në vitin 2025 kjo shifër vajti në 20,200. Pra, sistemi ka humbur rreth 12,800 aplikantë, ose afro 39 për qind, brenda dymbëdhjetë vjetësh. Ndërkohë duhet shtuar që për këta 20,200 aplikantë kishte rreth 30 mijë kuota, pra pothuajse 10 mijë vende të lira më shumë se kandidatë. Sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin e kaluar mes 68,653 leje qëndrimi për herë të parë që u dhanë për shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, 2,159 u dhanë për arsye shkollimi, pra edhe emigrimi i studentëve potencialë është gjithashtu tejet masiv. Hapja e universiteteve të reja, pikërisht kur brezat e lindur gjatë rënies së thellë të lindshmërisë në vitet 2010–2020 po i afrohen moshës studentore, do të thotë të ndërtosh sot godina të dënuara të zbrazen nesër nga gremina demografike që po vjen.
Pretendimi se universitetet e reja do të tërheqin studentë të huaj nuk e zgjidh problemin por duket thjesht një alibi hipotetike për një vendim politik të marrë paraprakisht. Studentët ndërkombëtarë nuk zgjedhin një universitet sepse një kryeministër e ka shpallur atë në podcastin personal. Ata zgjedhin reputacionin akademik, cilësinë e pedagogëve, laboratorët, programet në gjuhë të huaj, mundësitë e punësimit, njohjen e diplomës dhe kushtet e jetesës. Një institucion pa histori, pa trupë akademike të konsoliduar dhe pa prodhim shkencor nuk fiton reputacion ndërkombëtar me dekret qeveritar. Reputacioni ndërtohet për vite, shpesh për dekada. Edhe universitetet që Shqipëria ka prej kohësh ende nuk kanë arritur pozicione konkurruese në renditjet europiane. Është e paqartë se si katër institucione të krijuara nga zero do ta kapërcejnë menjëherë këtë hendek.
Sipas Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, shpenzimet publike për arsimin në vitin 2024 përfaqësonin vetëm 2,6 për qind të PBB-së, kundrejt mesatares prej 4,6 për qind në Bashkimin Europian. Ndërkaq financimi për kërkim dhe zhvillim në Shqipëri arriti vetëm 0,19 për qind të PBB-së në vitin 2024 ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian ishte 2,24 për qind (pra 12 herë më shumë). Edhe renditja e WIPO-s e vendos këtë hendek në perspektivë pasi në Indeksin Global të Inovacionit 2025, Shqipëria renditet e 114-ta ndër 139 ekonomi në treguesin e shpenzimeve për arsimin. Dobësia e universiteteve shqiptare pasqyrohet edhe në renditjet ndërkombëtare ku në renditjen rajonale të QS për Europën Jugore, Universiteti i Tiranës kaloi nga vendi 126 në vitin 2025 në vendin 154 në vitin 2026; ndërsa Universiteti Bujqësor i Tiranës kaloi nga vendi 137 në vendin 195.
Renditjet nuk janë të pagabueshme dhe nuk matin çdo dimension të jetës akademike. Por kur rënia në to përkon me financimin e ulët, mungesën e kërkimit, zbrazjen e auditorëve dhe largimin e të rinjve, ato nuk mund të shpërfillen si paragjykim i huaj. Të gjitha të dhënat tregojnë se Shqipëria nuk ka një sistem universitar që po zgjerohet nga suksesi, por një sistem të dobësuar që po shkon tatëpjetë. Katër universitete të reja nuk e korrigjojnë këtë dobësi por vetëm e ndajnë varfërinë akademike në më shumë adresa.
Këtu duhet sqaruar se universiteti nuk është një sportel administrativ që duhet vendosur në çdo qytet për t’ua afruar shërbimin qytetarëve pranë vendbanimit. Akademia funksionon me logjikën e një ekosistemi që kërkon përqendrim të talentit, masë kritike pedagogësh dhe studiuesish, laboratorë të përbashkët, biblioteka, doktorantë, debate, projekte dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Cilësia akademike krijohet kur njerëzit më të aftë vendosen pranë njëri-tjetrit dhe kanë mundësi të shkëmbejnë ide, të konkurrojnë dhe të bashkëpunojnë. Nuk krijohet duke i shpërndarë burimet e pakta në sa më shumë godina, administrata dhe qytete.
Madje, përkundrazi, sa më i kufizuar të jetë kapitali njerëzor dhe financiar i një vendi, aq më e madhe është nevoja për ta përqendruar atë. Shqipëria ka pak studiues, pak fonde kërkimi, pak laboratorë dhe një treg të kufizuar akademik. Në këto kushte, krijimi i katër institucioneve të reja do të thotë që të njëjtët pedagogë të qarkullojnë nga një universitet në tjetrin, të njëjtat pajisje të mungojnë në më shumë vende dhe fondet e pamjaftueshme të ndahen mes më shumë rektoratesh, senateve, bordeve dhe administratave. Në mungesë të stafit të kualifikuar që kërkon ligji, hapja e katër institucioneve paralele do ta detyrojë shtetin të degradojë vetë standardet e akreditimit dhe të tolerojë fiktivitetin e orëve mësimore, duke asgjësuar edhe ato pak filtra të mbetur të cilësisë thjesht për të përligjur një vendim politik.
Në fakt, trendi aktual ndërkombëtar është krejtësisht i kundërt me aventurën shqiptare sepse një drejtim i rëndësishëm i reformave europiane ka qenë konsolidimi dhe bashkimi i institucioneve ekzistuese. Përballë tkurrjes demografike dhe kërkesave të kërkimit modern, vendet e zhvilluara kanë kuptuar se mbijetesa akademike kërkon përqendrim burimesh dhe krijimin e një “mase kritike”, jo shpërndarje fondesh me pikatore. Danimarka e reduktoi me ligj numrin e universiteteve nga 12 në 8 duke shkrirë brenda tyre 25 institute kërkimore qeveritare; Franca unifikoi dhjetëra shkolla elitare dhe fakultete për të ngritur kolosë si Paris-Saclay dhe Sorbonne që kapën menjëherë majat e renditjeve botërore; Finlanda krijoi Universitetin Aalto duke shkrirë inxhinierinë me ekonominë dhe artin; Norvegjia i ktheu shkollat e larta të provincave në kampe satelitore të qendrës teknologjike NTNU; ndërsa Estonia, me vetëm 1.3 milionë banorë, e spastroi tregun nga mbi 40 institucione të arsimit të lartë duke u konsoliduar rreth 6 universiteteve publike kryesore.
Pra, në të gjithë kontinentin, arsimi po bashkohet për të përballuar rënien e lindjeve, për të përqëndruar më shumë potencial e konkuruar me renditje më të mira ndërkombëtare si dhe për të thithur grantet kërkimore të Horizon Europe. Shqipëria zgjedh të ecë në kahun e kundërt të historisë. Ndërsa bota bashkon forcat për të shpëtuar shkencën, qeveria jonë e fragmenton një kontingjent të tkurrur prej vetëm 20 mijë maturantësh në feude të reja burokratike, thjesht për të prodhuar prerjen e radhës së shiritit të propagandës.
Këtu shfaqet edhe një paradoks tjetër i qeverisjes. Shteti po i përqendron gjithnjë e më shumë shërbimet që duhet të jenë pranë qytetarit, si gjykatat dhe kujdesi shëndetësor, duke i detyruar njerëzit të udhëtojnë më larg për drejtësi ose mjekim. Ndërkohë kërkon të decentralizojë pikërisht atë veprimtari që ka nevojë për përqendrim; kërkimin shkencor dhe arsimin universitar cilësor. Pra, qeveria po vepron sëprapthi duke përqendruar atë që duhet çuar tek shtëpia e qytetarit dhe po shpërndan atë që duhet përqendruar për hir të cilësisë dhe efikasitetit.
Së fundmi, mbetet pa përgjigje pyetja themelore se për cilat vende pune po hapen këto universitete? Çdo investim i tillë duhet të mbështetet në një analizë të tregut të punës që përcakton profesionet deficitare, numrin e të diplomuarve që mund të përthithë ekonomia, nevojat e punëdhënësve dhe shkallën e punësimit të të diplomuarve të sotëm në profesionin e tyre. Pa këtë lidhje, universitetet e reja rrezikojnë të prodhojnë jo kapital njerëzor për zhvillimin e vendit, por më shumë diploma për eksport. Çfarë vlere ka, për shembull, të hapësh një universitet të ri mjekësie, nëse mjekët e formuar me paratë e taksapaguesve largohen drejt Gjermanisë? Pa paga konkurruese, kushte pune, meritokraci dhe perspektivë profesionale, universiteti i ri nuk bëhet motor zhvillimi, por stacioni i parë i emigrimit.
Në shumë sektorë, përgjigjja më racionale mund të jetë forcimi i arsimit profesional dhe , jo shumëfishimi i institucioneve që japin diploma universitare pa një treg pune që i kërkon. Tregu shqiptar i punës nuk vuan nga mungesa e të diplomuarve universitarë, por nga mungesa akute e teknikëve të mesëm, elektricistëve, mekanikëve të industrisë, operatorëve të teknologjisë dhe specialistëve të turizmit e agrobiznesit. Duke hapur katër universitete të reja, shteti vazhdon të ushqejë iluzionin e diplomës bachelor/master dhe devijon të rinjtë nga shkollat profesionale vjeçare duke thelluar kështu hendekun mes diplomave formale dhe nevojave reale të bizneseve.
Në vend të hapjes së godinave të reja që thellojnë fragmentimin, alternativa e parë racionale është konsolidimi institucional përmes shkrirjes së universiteteve ekzistuese në tre ose katër pole të fuqishme kombëtare si dhe përqendrimi i programeve të avancuara dhe krijimi i qendrave të përbashkëta kërkimore. Vendit tonë i duhen laboratorë kombëtarë për inteligjencën artificiale, inxhinierinë, mjekësinë, bujqësinë dhe mjedisin; grante konkurruese të vlerësuara nga ekspertë të pavarur; bursa dinjitoze doktorature; fonde të majme hulumtimi, partneritete me institucione prestigjioze, paga që mbajnë pedagogët cilësorë dhe programe kthimi për akademikët e diasporës. Universitetet publike duhet të nxiten të konkurrojnë duke u financuar në mënyrë meritokratike edhe sipas rezultateve të matshme nëpërmjet treguesve të cilësisë së kërkimit, punësimit të të diplomuarve, bashkëpunimit me biznesin, tërheqjes së fondeve europiane dhe ndërkombëtarizimit real.
Zhvillimi rajonal mund të realizohet përmes degëve ose kampuseve të specializuara satelitore të universiteteve ekzistuese, pa krijuar rektorate, administrata dhe burokraci të reja. Shqipërisë i duhet më shumë dije brenda universiteteve që ka, jo më shumë universitete me gjithnjë e më pak dije brenda tyre. Kursimi i parave nga eliminimi i dhjetëra rektorateve, bordeve, kancelarëve të universiteteve të shkrira si dhe tenderëve të rinj të ndërtimit të projekteve të reja, duhet të derdhet drejtpërdrejt në infrastrukturën e studimit dhe kërkimit real brenda godinave që kemi tashmë. Mbi të gjitha, përgjigjja ndaj krizës nuk është shumimi i diplomave teorike pa vlerë në treg, por ngritja e arsimit të lartë profesional dhe shndërrimi i kapaciteteve të tepërta universitare në kolegje të lidhura me nevojat reale të tregut të punës.
Dëmi më i pariparueshëm i kësaj aventure nuk matet me lekët e tenderëve, por me jetën e të rinjve. T’i mashtrosh studentët duke i joshur me tabela propagandistike në Fier apo Korçë dhe duke i mbajtur peng për tre deri në pesë vjet në auditorë gjysëm bosh, pa laboratorë, pa literaturë shkencore dhe pa pedagogë me kërkim aktiv, do të thotë t’u vjedhësh vitet më formuese e më produktive të jetës. Kur të dalin në treg dhe të kuptojnë se diploma e tyre nuk vlen as sa letra mbi të cilën është shtypur, ata do të kenë humbur kohën që nuk kthehet më. Kjo nuk është thjesht politikë e gabuar katranjose, por është tradhti e hapur ndaj shpresave të një brezi që po detyrohet të zgjedhë mes mashtrimit universitar në vend dhe emigrimit të dëshpëruar.
Shqipëria nuk ka nevojë të zgjerojë hartën burokratike të arsimit të lartë, por kapacitetin e tij për të prodhuar dije, aftësi të transferueshme, shkencë, inovacion dhe punësim. Këmbëngulja për të shtuar dyer e logo në një vend që po zbrazet prodhon vetëm rektorate parazitare për auditore bosh, tendera luksi me arkitektë të famshëm për një shkencë klinikisht të vdekur dhe diploma pa asnjë vlerë që shërbejnë thjesht si biletë njëdrejtimëshe për emigrim. Katër universitetet e reja nuk do të jenë qendra zhvillimi; janë katër gërmadha të paralajmëruara dhe katër fatura rrënuese mbi kurrizin e taksapaguesve dhe rinisë së shpërdoruar, katër monumente betoni të një dështimi spektakolar të arsimit, që propaganda guxon paturpësisht ta shesë si vizion.
