Takimi i Shtëpisë së Bardhë për Groenlandën nuk arriti të sheshojë dallimet që ekzistojnë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Danimarkës për ishullin më të madh në botë.
Pas takimit që patën me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës theksuan se mosmarrëveshjet mes palëve janë thelbësore.
“Nuk arritëm ta ndryshonim qëndrimin amerikan. Është e qartë se presidenti ka dëshirën për të pushtuar Groenlandën. Ne e bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të mbretërisë.”, tha Lars Løkke Rasmussen.
Sa i përket shqetësimeve të amerikanëve lidhur me sigurinë e Groenlandës, ministri i Jashtëm danez theksoi se kjo mund të adresohet përmes NATO-s, ndërsa hodhi edhe një herë poshtë çdo ide për blerjen e ishullit arktik.
Ndërsa ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se vendi i saj dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, por nuk dëshiron të jetë pronë e SHBA-ve.
E ndërsa palët ishin në diskutime në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan nga Zyra Ovale theksoi gjithashtu se nuk do të heqë dorë nga Groenlanda, pasi ajo është shumë e rëndësishme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, Danimarka nuk mund ta mbrojë Groenlandën përballë një pushtimi të mundshëm nga Rusia ose Kina./kb
