Last Updated on 13/10/2026 by Monika
Nuk ka qetësi për Gianni Infantino, sidomos pas një investigimi të publikuar nga gazeta britanike “The Times”, i cili ngre pikëpyetje të forta mbi të ardhurat e tij.
Sipas dokumenteve të publikuara, Infantino ka përfituar rreth 4 milionë e 590 mijë euro gjatë vitit 2024 nga paga, bonuset dhe përfitimet e ndryshme si numri një i institucionit. Megjithatë, investigimi ka zbuluar edhe një pagesë tjetër sekrete prej rreth 1 milionë e 580 mijë eurosh. Kjo shumë shtesë rezulton e lidhur me kompaninë amerikane të krijuar posaçërisht për organizimin e Kupës së Botës të vitit 2026.
Me këtë pagesë, të ardhurat e tij totale për vitin 2024 llogariten të kenë arritur në rreth 6 milionë e 170 mijë euro, ndërsa media britanike raporton se shifra të ngjashme janë regjistruar edhe në vitet pasuese.
Ajo që e bën edhe më të dyshimtë këtë situatë është fakti se asnjë nga drejtuesit e tjerë të lartë të FIFA-s nuk ka përfituar pagesa shtesë nga po kjo kompani. Krahas këtyre të ardhurave, raportohet se presidenti i FIFA-s ka në pronësi edhe një vilë luksoze në një nga zonat më ekskluzive të Miami Beach.
Këto zbulime vijnë në një moment delikat dhe rrezikojnë të ndikojnë në mbështetjen ndaj Infantinos për zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, të cilat janë parashikuar të mbahen në marsin e vitit 2027./mxh
