Last Updated on 27/10/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar vendosmërinë për të vijuar në detyrë, pavarësisht protestave të dhunshme të zhvilluara gjatë javëve të fundit në Tiranë.
Në një intervistë për median greke “Kathimerini”, kreu i qeverisë shqiptare thekson se kërkesa për dorëheqjen e tij është legjitime në një demokraci, por kundërshton çdo përpjekje për ta imponuar atë përmes dhunës.
“Kushdo mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me dhunë”, deklaron Rama për “Kathimerini”.
Duke komentuar situatën politike dhe protestat e fundit në kryeqytet, kryeministri bën dallimin mes qytetarëve, veçanërisht studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë, dhe personave që, sipas tij, përdorin dhunën si mjet për të arritur objektiva politike.
Rama ndalet veçanërisht te protestuesit me fytyra të mbuluara, duke pretenduar se mes tyre ka edhe individë të lidhur me lëvizjen Antifa.
“Një pakicë mendon se t’i vërë flakën vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, shprehet kreu i qeverisë shqiptare, duke kundërshtuar atë që e konsideron si përpjekje për të ardhur në pushtet përmes përshkallëzimit të dhunës.
Intervista-
Kathimerini: Çfarë përgjigjeje u jepni kërkesave të protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës?
Kryeministri Edi Rama:
Unë nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë siç duhet. Nuk mendoj se të rinjtë duhet thjesht të pranojnë ato që kemi arritur deri më sot.
Shqetësimet e tyre lidhur me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të bazuara dhe kërkojnë përgjigje thelbësore.
Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta paraqesim së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët.
Paralelisht, i kam ftuar studentët dhe pedagogët në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, edhe ato që vijnë nga persona që na kritikojnë më ashpër.
Megjithatë, ekziston një vijë e qartë ndarëse mes studentëve që dëshirojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të personave me fytyra të mbuluara – mes të cilëve edhe individë që unë i kam lidhur me lëvizjen Antifa – të cilët hedhin bomba molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe shkaktojnë dëme në prona private.
Lufta kundër korrupsionit është kompetencë e institucioneve të drejtësisë. Nuk është çështje e atyre që përdorin dhunën si mjet për të pretenduar se përfaqësojnë një brez të tërë.
Kathimerini: A keni ndërmend të jepni dorëheqjen?
Kryeministri Edi Rama:
Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve, jo me bomba molotov.
Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë synoj ta përmbush atë.
Kushdo mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me dhunë.
Detyra ime është të dëgjoj shqetësimet e bazuara, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Nuk do të shmangem nga kjo detyrë vetëm sepse një pakicë mendon se t’i vërë flakën vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit./ad
