Last Updated on 24/07/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Ai ishte një shkrimtar amerikan i tregimeve të shkurtra, tregimet e të cilit romantizonin të zakonshmen, në veçanti jetën e njerëzve të zakonshëm…
…Ka jetë që lindin me dritën e talentit dhe errësohen përkohësisht nga një hije fati të keq — e tillë është edhe historia e O. Henrit, mjeshtrit të tregimeve të shkurtra me funde të befta dhe ironi therëse, që shpesh i jepte më shumë ndriçim natës sesa vetë dita.
Më 24 korrik 1901, pas tri vitesh të kaluara pas grilave të një burgu federal në Kolumbus, Ohajo, Uilliam Sidni Porter – me pseudonimin “O. Henri” që do t’i siguronte pavdekësinë letrare – u lirua, por jo edhe nga njolla që ia kishte gdhendur jeta në biografi. Ai nuk ishte më thjesht një arkëtar i një banke në Ostin të Teksasit, i dënuar për përvetësim fondesh; ishte kthyer në një shkrimtar të cilit fjala i rridhte si heshtja e një pendese, si loti që shpërthen nga brenda.
I lindur më 1862 (siç vërtetohet sot), Porter do të përhapej nëpër faqet e shtypit amerikan si një frymë e re letrare, duke i dhënë qytetit dhe provincës një tjetër jetë — atë të përmbysjeve të befasishme dhe humanizmit të fshehur nën sarkazëm. Edhe pse lexuesit e deshën, ligji nuk e harroi. Pavarësisht sukseseve të mëvonshme, dënimi për përvetësim mbeti si njollë në jetën e tij — një damkë që as pas dekadash nuk u shpëlarë me vendime zyrtare.
Pavarësisht popullaritetit të tij, vitet e fundit të jetës së O. Henry-t u shënuan nga shëndeti i dobët, një luftë e dëshpëruar financiare dhe alkoolizmi. Një martesë e dytë në vitin 1907 ishte e palumtur. Pas vdekjes së tij, u botuan edhe tre vëllime të tjera. Ndërkohë që çmimi “O. Henry”, i dhënë çdo vit për tregime të shkurtra të shquara, u krijua në nder të tij në vitin 1919.
Më 23 nëntor 2011, në një akt simbolik faljeje kulturore, presidenti Barak Obamë citoi me humor një frazë nga O. Henri gjatë ceremonisë tradicionale të faljes së gjelave në Ditën e Falënderimeve, duke i dhënë emrit të shkrimtarit një vend nderi në skenën kombëtare. Ndërkohë, në vitin 2012, dy avokatë nga Teksasi ndërmorën një përpjekje më konkrete: kërkuan formalisht faljen pas vdekjes së shkrimtarit, duke e cilësuar dënimin të padrejtë dhe të mbartur padrejtësisht gjatë gjithë shekullit.
Po atë vit, Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara nderoi figurën e tij me një pullë postare – një lloj rehabilitimi ikonografik për një burrë që, më shumë se çdo tjetër, shkroi për dinjitetin njerëzor në përballje me fatin.
Përpjekje për amnisti kishin ndodhur edhe më parë – nën presidencat e Udrou Uilsonit, Duajt Ajzenhauerit dhe Ronald Reganit – por asnjëra nuk u kurorëzua me një akt ligjor.
Sot, Uilliam Sidni Porter apo përndryshe O. Henri njihet si një nga autorët më me ndikim të tregimit të shkurtër në letërsinë amerikane, por zyrtarisht, ai mbetet ende një “i dënuar ordiner”.
Një ironi që ndoshta, vetë O. Henri do ta kishte kthyer në një tjetër tregim befasues me titullin: “Zemra që i fali botës, por nuk u fal dot kurrë vetë.”