Deputeti i opozitës Tritan Shehu ngre akuza të forta ndaj sistemit shëndetësor publik, duke e përshkruar situatën si një “skemë diskriminuese mes jetës dhe pagesës”.
Sipas tij, në QSUT vazhdon të mos ofrohet trajtimi i tromboembolisë cerebrale përmes trombektomisë, një procedurë urgjente që duhet realizuar brenda 3–4 orëve për të shpëtuar jetën e pacientit.
“Trajtimi i këtyre rasteve është tromboektomia e realizuar brenda 3–4 orëve. Ndryshe shumica e pacientëve vdesin, ndërsa pjesa tjetër mbetet me deficite shumë të rënda,” thuhet në reagim.
Shehu thekson se, pavarësisht se në sistemin privat kjo ndërhyrje kryhet me sukses nga mjekë shqiptarë, qytetarët detyrohen të paguajnë rreth 30 mijë euro për ta përfituar atë.
“Pjesa tjetër e pacientëve detyrohen të shkojnë në privat ku paguajnë rreth 30 mijë euro,” thuhet më tej.
Ai akuzon Ministrinë e Shëndetësisë për vonesa dhe mungesë përgjegjësie, duke kujtuar se për vite me radhë është justifikuar mungesa e një angiografi biplan, i domosdoshëm për këto ndërhyrje emergjente.
“Më në fund kjo pajisje është instaluar prej mbi një viti në QSUT me financim ndërkombëtar, por ende nuk është vënë në funksion për pacientët,” thuhet në reagimin e tij.
Sipas tij, situata ka krijuar një realitet ku qytetarët përballen me zgjedhjen ekstreme: “O paguaj, o vdis”.
Në një tjetër shqetësim të ngritur, ai thekson edhe mosfunksionimin e laboratorëve publikë në mënyrë të rregullt, duke pretenduar se qytetarët përballen me mungesa shërbimesh sidomos në fund të çdo muaji.
Në përfundim, Shehu e cilëson situatën si shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe akuzon institucionet përgjegjëse për mosveprim. Sipas tij, ndërkohë që qytetarët përballen me kosto të larta ose rrezik jete, institucionet hetimore “flenë gjumë”.
