Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot se numri i rasteve të reja me kancer në botë, mund të rritet në 35 milionë në vit deri në vitin 2050, nga 20,6 milionë raste të regjistruara në vitin 2024, nëse vendet nuk marrin masa urgjente.
Sipas Raportit Global të Kancerit 2026 të OBSH-së, rreth 92% e popullsisë botërore do të preket nga kanceri gjatë jetës, ose mund të sëmuret vetë, ose mund të ketë një person shumë të afërt në familje (si prind, bashkëshort, fëmijë, vëlla/motër) që diagnostikohet me kancer.
Raporti nxjerr në pah pabarazitë e mëdha në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit në vende të ndryshme.
Shkalla e mbijetesës nga kanceri i gjirit është rreth 85% në vendet e pasura, ndërsa në vendet më të varfra arrin vetëm rreth 40%.
Vetëm 39% e vendeve ofrojnë akses edhe në trajtimet bazë për pacientët me kancer.
Eksperti i OBSH-së, André Ilbawi, tha se debati shpesh përqendrohet te teknologjitë e reja, trajtimet moderne dhe shpresat e reja, por ky nuk është realiteti për shumë njerëz në botë, të cilët “po lihen ende pas dore”.
“Kanceri është një sëmundje thellësisht personale, dhe mund të prekë këdo. Por mbijetesa nga kanceri nuk duhet të varet kurrë nga vendi ku një person ka lindur apo nga të ardhurat e tij”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Raporti thekson se një diagnozë me kancer shkakton shpesh stres të madh psikologjik për pacientët dhe familjet e tyre, ndërsa sëmundja është gjithashtu një nga shkaqet kryesore të falimentimit financiar për shkak të shpenzimeve mjekësore.
Më shumë se gjysma e pacientëve dhe familjeve të tyre përballen me kosto shëndetësore katastrofike.
Ndër faktorët kryesorë të rrezikut, OBSH vëren se pirja e duhanit ka rënë, me 27% krahasuar me vitin 2010.
Megjithatë, përparimi në uljen e konsumit të alkoolit ka qenë i kufizuar, ndërsa obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik vazhdojnë të rriten.
“Problemi kryesor nuk është më mungesa e njohurive, por hendeku mes asaj që dimë dhe asaj që bëjmë”, thuhet në raportin e OBSH-së./mxh
