Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, kërkoi të premten që Shtetet e Bashkuara të përfundojnë menjëherë hetimin mbi sulmin fatal ndaj një shkolle fillore në Iran, i cili sipas Teheranit vrau mbi 175 fëmijë dhe mësues në ditën e parë të luftës rajonale që nisi me sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite.
“Është thelbësore që të gjitha palët të ndalojnë eskalimin. Bëj thirrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit të ndalojnë sulmet ndaj Iranit, dhe ndaj Iranit të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve dhe të respektojë të drejtat e njeriut të qytetarëve të vet,” tha Turk në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.
Në debat u dëgjuan reagime të forta nga disa shtete. Ambasadori kinez Jia Guide e dënoi ashpër sulmin, duke e quajtur “shkelje të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar ndërkombëtar.” Ai vuri në dukje se sulmi ishte kryer pa autorizim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Edhe ambasadori norvegjez Tormod Cappelen Endresen theksoi se as sulmet amerikano-izraelite dhe as ato iraniane nuk janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe kërkoi përfundimin e menjëhershëm të konfliktit.
Përfaqësuesja e shoqërisë civile iraniane, Mohaddeseh Fallahat, i bëri thirrje Këshillit që të mos harrojë këtë tragjedi dhe të mbajë SHBA-në dhe Izraelin përgjegjës për humbjen e jetëve të fëmijëve, duke theksuar se kjo nuk është për hakmarrje, por për drejtësi.
Si SHBA-ja ashtu edhe Izraeli nuk ishin prezentë fizikisht në seancë, duke lënë vendet e tyre bosh dhe duke akuzuar Këshillin për paragjykim ndaj Izraelit.
Raportimi i Turk dhe reagimet ndërkombëtare vijnë ndërsa hetimi mbi sulmin në shkollën Shajareh Tayyebeh vazhdon, dhe bota kërkon drejtësi për viktimat më të pafajshme të luftës rajonale.
Numri i viktimave sipas Teheranit: mbi 175 fëmijë dhe mësues.
Numri i shteteve që dënuan sulmin: Kina, Norvegjia, Zvicra dhe disa të tjera./mxh
