Një raport i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Hetimin e Ukrainës, i prezantuar të enjten në Gjenevë, akuzon Rusinë për deportimin dhe transferimin e fëmijëve ukrainas si krime kundër njerëzimit.
Kryetari i komisionit, Erik Mose, tha se aktet janë kryer sipas një plani të organizuar dhe politikash të koordinuara nga niveli më i lartë i qeverisë ruse, përfshirë territoret e pushtuara. Hetimi ka konfirmuar rastin e 1,205 fëmijëve dhe raportet tregojnë se 80% e tyre nuk janë kthyer ende në shtëpi.
“Familjet kanë mbetur pa informacion për fatin e fëmijëve për periudha të gjata, duke shkaktuar ndarje, vuajtje dhe stres të thellë. Këto veprime janë të përhapura dhe sistematike dhe përbëjnë zhdukje të detyruar,” tha Mose.
Ambasadori i Ukrainës në OKB në Gjenevë, Yevhenii Tsymbaliuk, theksoi se këto fëmijë nuk mund të konsiderohen si viktima sekondare të luftës, por pjesë e një strategjie të qëllimshme ruse për shkatërrimin e shoqërisë dhe identitetit ukrainas. Ai bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion maksimal për kthimin e çdo fëmije të marrë me forcë.
Raporti vlerëson se deportimet kanë filluar pak para pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe se autoritetet ruse kanë koordinuar vendosjen afatgjatë të fëmijëve në familje apo institucione në 21 rajone të Rusisë dhe në territoret e pushtuara të Ukrainës.
Gjatë prezantimit të raportit, ulëset e delegacionit rus mbetën bosh dhe nuk pati reagim të menjëhershëm nga misioni diplomatik i Moskës në Gjenevë.
Raporti bazohet në analizën e mijëra dokumenteve, raporteve të grupeve të të drejtave të njeriut dhe mbi 200 intervistave me familjet e fëmijëve të zhdukur dhe disa fëmijë që janë rikthyer në shtëpi./mxh
