Katër vjet pas publikimit të Don’t Worry Darling, Olivia Wilde ka folur hapur për periudhën e trazuar që shoqëroi filmin dhe për ndikimin që pati ekspozimi i jetës së saj private.
Në një intervistë në podcastin e Louis Theroux, aktorja dhe regjisorja tregoi se polemikat që shpërthyen në vitin 2022, përfshirë edhe ndarjen nga Harry Styles, e larguan vëmendjen nga vetë filmi dhe puna e ekipit.
Wilde dhe Styles ishin në një lidhje për afro dy vite, nga fundi i vitit 2020 deri në nëntor 2022. Në të njëjtën periudhë, Don’t Worry Darling u shoqërua me një sërë spekulimesh, nga raportimet për tensione me Florence Pugh deri te thashethemet për atmosferën në xhirime, duke dominuar diskutimet publike.
Sipas regjisores, kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën se si u perceptua projekti.
“Besoj se e dëmtoi filmin, sepse nuk patëm mundësinë të flisnim për atë që filmi përpiqej të thoshte. Ishte një keqardhje, sepse shumë njerëz punuan jashtëzakonisht shumë për ta realizuar atë film gjatë periudhës së COVID-it.”
Ajo kujtoi se filmi u realizua me një buxhet prej rreth 30 milionë dollarësh, ndërsa ekipi krijues arriti të sillte në ekran një produksion që dukej shumë më ambicioz.
Megjithatë, Wilde pranoi se polemikat nuk ndikuan vetëm te filmi, por edhe tek ajo personalisht.
“Por ne nuk patëm mundësinë të flisnim për këtë. Mendoj se kjo e dëmtoi filmin. Më dëmtoi edhe mua, sepse deri në atë moment isha shumë naive për mënyrën se si mund të funksionojë interneti dhe sa i pamëshirshëm mund të jetë ai.”
Duke e parë sot atë periudhë nga një këndvështrim tjetër, ajo tha:
“Është interesante të dëshmosh një tornado nga brenda.”
Regjisorja shtoi se përvoja me promovimin e filmit të saj më të ri, The Invite, ka qenë krejt ndryshe. Sipas saj, rikthimi në intervista e ndihmoi të ndryshonte perceptimin për atë që kishte kaluar.
“Pyeta veten nëse do të ishte traumatizuese të rikthehesha në intervista pas asaj që ndodhi. Por bisedat për ‘The Invite’ kanë qenë shumë interesante dhe më është dhënë mundësia të flas për filmin. Ka qenë një lloj shërimi, sepse kuptova se jo çdo gjë është një vorbull negative.”
The Invite, një komedi me Olivia Wilde, Seth Rogen, Penelope Cruz dhe Edward Norton në rolet kryesore, ka marrë reagime pozitive dhe ka zgjuar interes të madh nga kompanitë filmike.
Wilde rikujtoi edhe debatin që qarkulloi në vitin 2022 për një diferencë të pretenduar në pagesat mes Harry Styles dhe Florence Pugh, pretendime që ajo i mohoi edhe atëherë.
“Nuk ka asnjë të vërtetë në këto akuza. Absurditeti i lajmeve të sajuara dhe reagimet që pasuan për një diferencë pagash që nuk ka ekzistuar, më shqetësuan shumë.”
Në fund, ajo theksoi se gjatë më shumë se dy dekadave në industrinë e filmit ka mbështetur vazhdimisht barazinë në pagesa dhe se kjo ka qenë një nga parimet kryesore të punës së saj si regjisore./mxh
