OpenAI ka propozuar t’i japë qeverisë amerikane 5% të aksioneve të kompanisë, në një përpjekje për të zbutur presionin politik në rritje në Uashington, sipas Financial Times.
Sipas raportit, kjo pjesëmarrje do të kishte një vlerë prej rreth 42.6 miliardë dollarësh, bazuar në vlerësimin e kompanisë pas raundit rekord të financimit të mbyllur në mars.
Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka argumentuar se përfshirja e publikut në pronësinë e kompanisë do të ishte një mënyrë për të ndarë përfitimet që sjell zhvillimi i inteligjencës artificiale. Financial Times, duke cituar burime të njohura me bisedimet, raportoi se Altman e ka paraqitur këtë ide gjatë diskutimeve të hershme me administratën Trump.
Propozimi është pjesë e një plani më të gjerë, sipas të cilit qeveria amerikane do të zotëronte aksione të ngjashme edhe në kompani të tjera kryesore të inteligjencës artificiale në SHBA, përmes një mekanizmi shtetëror.
Sipas raportit, struktura e propozuar mund të përfshijë edhe kompani si Anthropic, Google dhe Meta, të cilat do t’i transferonin qeverisë një pjesë të aksioneve përmes një fondi të ngjashëm me fondet sovrane të pasurisë./ad
