Një efektive e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) ka humbur jetën pas komplikacioneve të një ndërhyrjeje estetike në Republikën Dominikane, ndërsa familja e saj kërkon një hetim për të zbardhur nëse ka pasur neglizhencë mjekësore.
Sipas familjarëve, De Paula pësoi një infeksion bakterial pas ndërhyrjes kirurgjikale, i cili dyshohet se çoi në përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore.
Rebecca De Paula ishte vlerësuar në muajin mars si “Oficerja e Muajit” në komisariatin e 46-të të Bronx-it, për “punën e jashtëzakonshme policore dhe përkushtimin ndaj komunitetit”.
Ajo ishte nënë e tre fëmijëve dhe, përveç punës si police, kishte shërbyer edhe si pastore së bashku me bashkëshortin e saj.
Presidenti i Shoqatës së Policëve të Nju Jorkut, Patrick Hendry, shprehu ngushëllimet për humbjen e saj.
“Zemrat tona janë të rënduara nga humbja e motrës sonë, oficeres Rebecca DePaula, e cila ndërroi jetë jashtë shërbimit pas vetëm 18 muajsh në detyrë. I kërkojmë të gjithë njujorkezëve të mbajnë familjen, miqtë dhe kolegët e saj në lutje gjatë kësaj kohe të vështirë”, tha ai.
Të afërmit e De Paula-s po kërkojnë që autoritetet lokale në Republikën Dominikane të hetojnë rrethanat e vdekjes dhe të përcaktojnë nëse gjatë procedurës ka pasur gabime mjekësore ose neglizhencë.
Sipas ekspertëve të kirurgjisë plastike, heqja e implanteve të gjirit mund të shoqërohet me komplikacione, përfshirë infeksione, mpiksje gjaku, probleme kardiake dhe pulmonare, grumbullim lëngjesh ose hematoma.
Të dhënat e Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregojnë se mes viteve 2009 dhe 2022 janë regjistruar 93 vdekje të lidhura me operacione estetike te shtetas amerikanë në Republikën Dominikane.
Vdekja e De Paula-s vjen pas një tjetër rasti tragjik që preku policinë e Nju Jorkut. Në tetor 2025, detektivja e NYPD-së Alicia Stone humbi jetën një javë pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje estetike me ngritje të vitheve dhe liposuksion në Kolumbi.
Familja e Rebecca De Paula-s tashmë pret rezultatet e hetimit për të kuptuar shkaqet e plota të vdekjes së saj./ad
