Udhëheqësja e opozitës tajvaneze dhe e Partisë Kuomintang, Cheng Li-wun, ka bërë thirrje për unitet politik në ishull, duke u kërkuar partive që të mos përdorin marrëdhëniet me Kinën si mjet për përfitime elektorale, por t’i qasen çështjes si një prioritet kombëtar mes paqes dhe konfliktit.
Gjatë një konference për shtyp në Pekin, Cheng deklaroi se është e gatshme të takohet me çdo palë që kontribuon në paqen mes dy anëve të Ngushticës së Tajvanit, duke theksuar se dialogu është rruga e vetme për uljen e tensioneve.
Ajo u shpreh se gjatë bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping, është diskutuar nevoja për bashkëpunim dhe shmangie të konfliktit, si dhe për forcimin e kontakteve mes dy palëve.
Sipas saj, Pekini ka shprehur respekt për mënyrën e jetesës dhe sistemin politik të Tajvanit, ndërsa është kërkuar që edhe Tajvani të njohë arritjet e zhvillimit të Kinës kontinentale.
Cheng theksoi se qëllimi i saj është promovimi i paqes dhe ulja e tensioneve në rajon, në një periudhë kur Kina ka rritur presionin ushtarak ndaj ishullit që e konsideron pjesë të territorit të saj./MXH
