Hungaria ndodhet përballë një momenti vendimtar politik, ndërsa kryeministri Viktor Orbán rrezikon të humbasë pushtetin pas më shumë se 16 vitesh në krye të vendit.
Sipas analistëve të “Political Capital”, balanca politike në vend ka mbetur e pandryshuar prej muajsh, por pa rritje reale të mbështetjes për partinë në pushtet Fidesz. Eksperti Robert Laszlo vlerëson se Orbán ka arritur të mbajë bazën e tij elektorale, por ka dështuar të tërheqë votues të rinj.
Në zgjedhjet e 12 prillit, sfida më e madhe për Orbán vjen nga lideri i opozitës, Peter Magyar, i cili me partinë e tij Tisza ka arritur të kryesojë në shumicën e sondazheve. I mbështetur kryesisht nga të rinjtë dhe votuesit urbanë, Magyar ka depërtuar edhe në zonat tradicionale të Fidesz-it.
Rritja e opozitës lidhet edhe me pakënaqësinë ekonomike në vend, pas disa vitesh stagnimi dhe inflacioni të lartë, si dhe akuzave për korrupsion dhe favorizim të oligarkëve pranë qeverisë.
Ndërkohë, Orbán mbron një trashëgimi politike të ndërtuar mbi atë që ai e quan “demokraci joliberale”, duke kundërshtuar emigracionin dhe duke theksuar vlerat tradicionale. Ai e ka paraqitur këtë garë si një zgjedhje mes “luftës dhe paqes”, duke akuzuar opozitën se do ta afronte Hungarinë me konfliktin në Ukrainë—një pretendim që kundërshtarët e mohojnë.
Në planin ndërkombëtar, Orbán ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Kremlinin dhe presidentin rus Vladimir Putin, duke u bërë një figurë e diskutueshme në Bashkimin Evropian. Ai ka bllokuar gjithashtu vendime të rëndësishme për ndihmën ndaj Ukrainës.
Në të kundërt, Magyar premton një qasje më bashkëpunuese me BE-në dhe NATO-n, duke synuar zhbllokimin e fondeve të ngrira dhe forcimin e shtetit ligjor. Ai ka premtuar reforma kundër korrupsionit, pavarësi më të madhe të institucioneve dhe përmirësim të shërbimeve publike.
Analistët theksojnë se një humbje e Orbán do të kishte ndikim të madh jo vetëm për Hungarinë, por edhe për lëvizjet e djathta në Evropë, të cilat e shohin atë si një nga figurat kryesore.
Zgjedhjet e 12 prillit pritet të jenë ndër më të rëndësishmet në historinë moderne të vendit, me një pjesëmarrje potencialisht rekord dhe pasoja që mund të ndikojnë balancat politike në gjithë kontinentin evropian./MXH
