Last Updated on 21/02/2026 by Anisa
Një operacion i vështirë kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar këtë të shtunë në Kanionet e Osumit, ku një 22-vjeçar nga Berati ka mbetur i bllokuar në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit, gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në gjetjen e një personi të zhdukur.
I riu, Xhuljano Kaloti, ishte futur vullnetarisht në kërkim të 42-vjeçarit Ilir Kurti, i cili rezulton i humbur prej dy ditësh. Sipas burimeve nga zona e Skraparit, ngjarja ka ndodhur gjatë lundrimit me kanoe, kur një prej gomoneve është përmbysur si pasojë e prurjeve të forta dhe rrjedhës së fuqishme të lumit.
22-vjeçari ka mbetur i bllokuar mes shkëmbinjve në zonën e njohur si “Ngushtica e tretë”, pranë hyrjes së një shpelle, ku prej orësh qëndron në ujë në kushte tepër të vështira. Temperaturat e ulëta dhe uji i akullt përbëjnë rrezik serioz për jetën e tij.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se është kërkuar ndërhyrja me helikopter për nxjerrjen e të riut me litar nga ajri, por deri më tani mjetet ajrore nuk kanë mbërritur në zonë. Në terren ndodhen vetëm banorë të zonës, të cilët po përpiqen ta ndihmojnë duke hedhur litarë nga lartësia, ndërsa ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës është bërë e pamundur për shkak të terrenit tepër të thepisur.
Mësohet se i riu kishte hyrë bashkë me disa shokë në mënyrë vullnetare për të ndihmuar në gjetjen e 42-vjeçarit, zhdukja e të cilit ka alarmuar familjarët dhe komunitetin lokal.
Kanioni i Osumit ka një gjatësi rreth 12 kilometra dhe thellësi që në disa segmente arrin deri në 90 metra. Në kushte prurjesh të larta, ndërhyrjet nga persona të pa trajnuar për operacione të tilla konsiderohen me rrezik maksimal.
Operacioni i shpëtimit vijon.
