Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim pas dyshimeve se një prej orkave më të rralla në botë është qëlluar me armë gjahu në Ngushticën e Gjibraltarit.
Bëhet fjalë për Toñi, e njohur edhe si “La Abuela”, ose “Gjyshja”, orka më e vjetër e njohur e popullatës iberike. Ajo u filmua këtë javë me disa plagë në pendën dorsale, të cilat janë të pajtueshme me dëmtime të shkaktuara nga saçmat e një arme gjahu.
Zëvendëskryeministrja spanjolle dhe ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Sara Aagesen, njoftoi hapjen e hetimit, duke theksuar se orkat janë një specie e mbrojtur dhe se çdo dëmtim ndaj tyre përbën një shkelje të rëndë.
Plagët e Toñi-t u dokumentuan nga organizatat WeWhale dhe Iberian Orca Guardians gjatë monitorimit në terren. Konservatorët e cilësojnë rastin si një akt të rëndë mizorie dhe paralajmërojnë për pasojat që mund të ketë për një popullatë që numëron më pak se 40 individë.
Dyshimet për të shtënat vijnë në një periudhë tensionesh mes njerëzve dhe orkave iberike, të cilat vitet e fundit janë përfshirë në incidente me varka pranë brigjeve të Spanjës dhe Portugalisë. Shkencëtarët theksojnë se këto sjellje nuk justifikojnë në asnjë mënyrë dhunën ndaj kafshëve.
Toñi, rreth 60 vjeçe, konsiderohet një figurë e rëndësishme brenda grupit të orkave iberike dhe besohet se luan rol në transmetimin e sjelljeve dhe njohurive te individët e tjerë të tufës. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e infeksioneve nga plagët.
Orkat, pavarësisht se njihen gjerësisht si “balena vrasëse”, janë në fakt pjesë e familjes së delfinëve. Ato mund të arrijnë deri në 8 metra gjatësi dhe të peshojnë rreth 6 tonë.
Hetuesit spanjollë pritet të përcaktojnë nëse plagët janë shkaktuar vërtet nga të shtënat dhe kush mund të jetë përgjegjës për incidentin./mxh
