Last Updated on 21/04/2026 by EL
Nga Fejzo Subashi
Prona nuk është dhe nuk duhet të jetë peng. Ajo është përgjegjësi e madhe individuale dhe kolektive, familjare, lokale dhe krahinore. Është momenti dhe koha për një kulturë të re pronësie, sidomos për atë bujqësore, në Shqipëri
Në Shqipëri, prej më shumë se një shekulli shtet dhe mbi tri dekada tranzicion, vijojmë të sillemi me pronën sikur ajo të jetë një relike historike, jo një instrument zhvillimi, apo dhe mundësi jetese dhe burim i të ardhurave. Debati i fundit mbi nismat e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama për zhvillimin e zonave malore ka nxjerrë në pah një plagë të vjetër: Mungesën e një koncepti të qartë për pronën, jo vetëm si e drejtë, por edhe si detyrim. Unë vetë vij nga një familje ish-pronarësh, të regjistruar që në kohën e Mbretërisë së Zogut, taksapagues dhe kontribuues. Pra nuk flas nga jashtë këtij realiteti. Por pikërisht për këtë arsye, e ndjej si detyrim të them një të vërtetë që shpesh shmanget: prona nuk mund të jetë vetëm pretendim, ajo duhet të jetë funksion.
Nëse kthehemi pas në histori, e kuptojmë se origjina e pronës në Shqipëri nuk është aq e pastër sa shpesh pretendohet. Gjatë Perandoria Osmane, toka u dha si privilegj, u përvetësua me forcë apo u ble në kushte jo të barabarta. Më pas, Reforma Agrare e vitit 1946 e përmbysi këtë realitet me një drejtësi të ashpër sociale, por jo pa padrejtësi individuale. Ndërsa pas viteve ’90, Ligji 7501 krijoi një kompromis që nuk zgjidhi asgjë, por shpërndau një problem të madh në miliona copëza të vogla.
Sot, pas gjithë kësaj historie, kemi një absurditet kombëtar: toka që pretendohet nga shumëkush, por përdoret nga askush. Fshatra të tëra janë braktisur. Sipërfaqe të mëdha që mund të prodhonin, ushqenin dhe zhvillonin ekonomi lokale, janë kthyer në tokë të vdekur. Dhe ndërkohë, shteti shpesh hesht, ndërsa individë të paktë bllokojnë zhvillimin me pretendime të paqarta, me një mentalitet që e sheh pronën si territor për t’u ruajtur, jo si burim për t’u aktivizuar. Këtu lind pyetja thelbësore: a është prona vetëm e drejtë, apo edhe përgjegjësi? Nuk mund të pranohet më logjika që një individ apo familje: ta mbajë tokën të braktisur për dekada të mos prodhojë asgjë të mos kontribuojë në ekonomi dhe njëkohësisht të pengojë çdo investim apo zhvillim Kjo nuk është mbrojtje e pronës. Kjo është pengmarrje e saj. Në çdo vend të zhvilluar, prona shoqërohet me detyrime të qarta: përdorim, taksim, funksion ekonomik. Nëse nuk i përmbush këto, shteti ndërhyn, jo për të grabitur, por për të garantuar interesin publik. Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim. Nuk bëhet fjalë për të mohuar të drejtat e pronarëve. Përkundrazi. Bëhet fjalë për t’i dhënë pronës dinjitetin që meriton: të jetë produktive, të krijojë vlerë, të kontribuojë në zhvillimin e vendit. Sepse një tokë e braktisur nuk është pronë – është barrë. Ndaj, është koha që shteti shqiptar të bëjë atë që nuk e ka bërë kurrë plotësisht: të vendosë një kulturë të re pronësie. Një kulturë ku:prona respektohet por edhe vihet në punë ku të drejtat mbrohen por edhe detyrimet zbatohen. Sepse të lësh tokën djerrë dhe të ikësh, ndërsa ajo degradohet dhe pengon zhvillimin, nuk është thjesht papërgjegjshmëri individuale. Është një dëm ndaj të gjithë kombit.
Dhe këtë, nuk mund ta përballojmë më. Pa kulturë pronësie, çdo reformë mbetet gjysmake. Pa kulturë pronësie, jo vetëm individi, por dhe shteti ngelet në vend numëro, aq më pak të bëhesh pjesë e familjes së madhe Evropiane. Dhe kjo kulturë nuk ndërtohet vetëm me ligj, por me një kombinim të qartë rregullash, përgjegjësie dhe shembulli nga të gjithë.
