Memet në internet ndryshojnë me shpejtësi, por herë pas here një moment i vjetër rikthehet papritur në qendër të vëmendjes. Këtë herë është radha e Zendaya-s, me një video që daton që nga ditët e saj në Disney Channel dhe që sot po shndërrohet në një prej memeve më të përdorura në rrjetet sociale.
Pamjet nuk kanë lidhje me Euphoria, Spider-Man apo Challengers. Ato janë shumë më të hershme dhe shfaqin aktoren në tapetin e premierës së filmit të Justin Bieber, Never Say Never.
Zendaya nuk është aspak e panjohur për botën e memeve. Paraqitjet e saj dhe momentet e kapura nga kamerat janë kthyer disa herë në materiale virale. Vitin e kaluar, për shembull, fansat rikthyen në vëmendje të ashtuquajturën “Hat Theory”, e frymëzuar nga kapela e madhe që ajo mbante në vitin 2014.
Si nisi memeja e re?
Gjithçka nisi kur përdoruesi i X, @popbackupp, publikoi një video të vjetër ku shfaqet Zendaya së bashku me personazhe të tjerë të famshëm.
Videoja mori rreth 49.5 milionë shikime dhe, mes gjithë pamjeve, një moment specifik me Zendaya-n tërhoqi vëmendjen e përdoruesve.
Bëhet fjalë për një mimikë të aktores, e cila shumë shpejt u shkëput nga konteksti i videos dhe filloi të përdorej si meme në X dhe Instagram.
Që prej atëherë, përdoruesit kanë shpërndarë screenshot-e dhe GIF-e të Zendaya-s për të përshkruar situata nga më të ndryshmet.
“Mbërrita në punë 20 minuta me vonesë dhe me kafen në dorë”, shkruan një përdorues.
“Kur u kam thënë miqve të mi se po mbërrij në vendtakim, edhe pse nuk kam dalë ende nga shtëpia”, shkruan një tjetër.
Ndërsa një tjetër e përdor pamjen për një situatë që shumë prej nesh e njohin:
“Kur them se do të ndaloj së përdoruri telefonin dhe përfundoj duke kaluar edhe 4 orë të tjera në Instagram”.
Në pak ditë, një moment i harruar nga epoka e Disney Channel është rikthyer në internet dhe Zendaya, pa bërë asgjë të re, është bërë sërish protagoniste e një prej memeve të momentit./mxh
