Last Updated on 15/08/2025 by adminfjala
Anija “Lissus” P-133 e Forcës Detare Shqiptare që shërben në mision ndërkombëtar, ka shpatuar 25 emigrantë afganë dhe sirianë, në ujërat e detit Egje. Operacioni është kryer në bashkëpunim dhe me Rojen Bregdetare Turke.
“Lissus” P-133 zhvilloi një operacion kërkim-shpëtimi (SAR), i cili falë veprimit të shpejtë dhe bashkëpunimit në kohë operacioni u përmbyll me sukses, duke siguruar shpëtimin dhe transportin e tyre drejt autoriteteve përgjegjëse.
Gjatë patrullimit, një nga efektivët e anijes shqiptare konstatoi gomonen me emigrantë të nisur nga brigjet turke, duke ndërhyrë menjëherë për t’u ardhur në ndihmë.
Në bord ndodheshin gjithsej 25 persona me kombësi afgane dhe siriane, 8 meshkuj, 9 femra dhe 8 fëmijë. Operacioni i shpëtimit në bashkëpunim dhe me Rojen Bregdetare Turke është përmbyllur me sukses dhe emigrantët janë shpëtuar të gjithë.
“Ky është një tjetër dëshmi e përkushtimit të Forcës Detare për të garantuar sigurinë e jetës në det dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë”, shkruan Forca Detare.
