“Kërkojmë dhuratën e paqes në unitet. Ndërsa i ftojmë të gjithë popujt drejt besimit, në të cilin jemi vërtet të lirë, tensionet ndërkombëtare dhe konfliktet plagosin rëndë familjen njerëzore. Megjithatë, nuk mungojnë – përkundrazi, po shtohen – në Kishë dhe në botë iniciativa dhe përvoja që bëjnë thirrje për respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtësisë, të ligjit dhe, thjesht, të asaj që është njerëzore.
Kjo është një arsye për shpresë, sepse dëshmon bukurinë e veprës së Zotit, i cili na ka krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij, si shenjë e lavdisë së Tij në botë. Kur kjo shenjë plagoset, të gjithë plagosemi. Kur ajo korruptohet, të gjithë vuajmë. Kur ajo vritet, të gjithë ndihemi të copëtuar.
Prandaj, lufta nuk është kurrë e denjë për njeriun dhe nuk bekohet kurrë nga Zoti, sepse Krijuesi na ka pajisur me inteligjencë dhe vullnet për t’i zgjidhur konfliktet si qenie njerëzore dhe jo si bisha, edhe nëse këto të fundit janë të pajisura me armë hiperteknologjike.”
Kështu u shpreh Papa Leoni XIV gjatë fjalës së tij me rastin e Konsistorit të Jashtëzakonshëm në Vatikan, me kardinalët e mbledhur.
“Uniteti i familjes njerëzore u paraprin popujve dhe shteteve të veçanta. Nuk bëhet fjalë vetëm për një fakt biologjik: është një parim etik. Paqja është një detyrë drejtësie, sepse ne jemi një familje e vetme njerëzore, një humanitet madhështor që gjen në Krishtin Kreun dhe Shpëtimtarin e vet”, shtoi ai./ad
