Në Vatikan, Papa Leoni XIV mbajti një fjalim të fortë vjetor për politikën e jashtme, ku dënoi ashpër përdorimin e forcës ushtarake si mjet për arritjen e qëllimeve diplomatike, duke e cilësuar këtë prirje si një kërcënim serioz për paqen botërore.
Duke folur para ambasadorëve të akredituar në Vatikan, Papa theksoi se ligji humanitar ndërkombëtar duhet të respektohet gjithmonë, edhe në kohë lufte, dhe se shkatërrimi i spitaleve, infrastrukturës energjetike, banesave dhe objekteve jetike përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim për dobësimin e rolit të organizatave ndërkombëtare përballë konflikteve globale, duke paralajmëruar se diplomacia e dialogut po zëvendësohet nga diplomacia e forcës, ndërsa “lufta po kthehet në modë”.
Në fjalimin e tij, Papa Leo ngriti shqetësime edhe për kufizimin e lirisë së shprehjes, veçanërisht në vendet perëndimore, duke paralajmëruar për përdorimin e një gjuhe përjashtuese që, sipas tij, cenon pluralizmin e mendimit.
Papa u ndal edhe te situata në Amerikën Latine, duke shprehur alarm për tensionet në Detin e Karaibeve dhe përgjatë bregut Paqësor amerikan. Ai bëri thirrje për zgjidhje paqësore politike, duke theksuar se duhet të mbizotërojë interesi i përbashkët i popujve dhe jo interesat partiake.
Në mënyrë të veçantë, Papa Leo iu referua Venezuelës, duke kërkuar që të respektohet vullneti i popullit venezuelas dhe të garantohen të drejtat njerëzore dhe civile, me synimin për një të ardhme stabiliteti dhe pajtimi./mxh
