Sa herë keni menduar “Ky krem nuk po më bën më efekt, duhet ta ndërroj”? Nëse e keni bërë këtë, me shumë gjasë keni besuar një nga mitet më të përhapura të kujdesit të lëkurës. Sipas një dermatologeje, problemi nuk është se lëkura juaj është “mësuar” me produktin.
Në fakt, lëkura nuk bëhet imune ndaj kremrave dhe as nuk “mërzitet” nga përbërësit aktivë. Këtë e sqaron dermatologia dhe themeluesja e klinikës Oneskinmed në Madrid, Dr. Lidia Maroñas, e cila e cilëson idenë se lëkura krijon tolerancë ndaj kremrave si “një mit total”.
Atëherë, pse duket sikur kremi nuk funksionon më? Sipas dermatologes, arsyeja është shumë më e thjeshtë nga sa mendojmë. Lëkura ndryshon vazhdimisht për shkak të moshës, hormoneve, stinëve, stilit të jetesës dhe stresit. Por edhe mënyra se si i perceptojmë rezultatet ndikon.
Kur fillojmë një produkt të ri, ndryshimet janë më të dukshme. Nëse një krem ka ndihmuar në qetësimin e skuqjes ose ka përmirësuar thatësinë, pasi problemi fillestar është zgjidhur, nuk do të shohim më të njëjtin “wow effect”.
“Pasi një produkt trajton problemin kryesor, ai mund të vazhdojë të bëjë një punë shumë të mirë në mirëmbajtjen e lëkurës, edhe nëse ndryshimet nuk duken më aq dramatike”, shpjegon Dr. Maroñas.
Dhe pikërisht në këtë moment, sipas saj, fillojmë të vëmë re probleme të tjera të vogla që më parë nuk na kishin tërhequr vëmendjen. Në vend që të ndërrojmë vazhdimisht produktet, dermatologia këshillon që rutina të rishikohet çdo tre deri në katër muaj, veçanërisht kur ndryshojnë stinët.
Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim produktet që funksionojnë. Mund të ndryshohen teksturat ose të përshtaten disa hapa me nevojat e lëkurës në atë periudhë.
Rregulli kryesor? Nëse lëkura është e shëndetshme dhe produkti po funksionon, nuk ka arsye ta zëvendësoni vetëm sepse mendoni se është “mësuar” me të.
Ndryshimet kanë më shumë kuptim kur shfaqen probleme të reja, si thatësia e papritur, shpërthimet e akneve ose njollat e reja. Edhe në periudha të rëndësishme si shtatzënia, rutina duhet rishikuar me kujdes dhe, idealisht, me këshillën e një profesionisti.
Pse produktet e reja na japin atë “glow” të menjëhershëm? Këtu qëndron edhe një tjetër arsye pse shpesh mendojmë se produkti i ri është shumë më efektiv. Një krem hidratues mund të zbusë shtresën e jashtme të lëkurës, duke e bërë atë të duket më e lëmuar dhe duke reduktuar përkohësisht pamjen e vijave të holla. Rezultati? Ai shkëlqimi i menjëhershëm që të bën të mendosh se ke gjetur produktin perfekt.
Por jo çdo rezultat i menjëhershëm është një ndryshim i thellë i lëkurës.
Përbërësit aktivë si retinoli dhe acidet mund të shkaktojnë gjithashtu një reagim fillestar të lëkurës, veçanërisht në ditët e para. Megjithatë, efektet që lidhen me përmirësimin afatgjatë kërkojnë shumë më tepër kohë.
Nëse jeni duke pritur që çdo produkt skincare të japë rezultat brenda pak ditësh, dermatologia ka një këshillë: durim.
Acidi glikolik mund të japë rezultate më të shpejta në pamjen e lëkurës, pasi ndihmon në largimin e qelizave të vdekura nga sipërfaqja. Kjo mund ta bëjë lëkurën të duket më e lëmuar dhe tekstura më e njëtrajtshme.
Ndërsa retinoli, antioksidantët, peptidet dhe përbërës të tjerë kërkojnë kohë për të dhënë efektet e tyre të plota.
Në fillim, retinoidet dhe disa përbërës ndriçues mund të shkaktojnë skuqje, irritim apo zhveshje të lehtë. Por efektet më të rëndësishme, si stimulimi i kolagjenit dhe ndryshimet strukturore të lëkurës, nuk ndodhin brenda natës.
Sipas Dr. Maroñas, këto janë procese që mund të vlerësohen më mirë pas gjashtë deri në 12 muajsh përdorimi të vazhdueshëm./mxh
