Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e shtetasve A.H., K.H. dhe M.H., si dhe shoqëritë e tyre, të dyshuara për pastrim të parave të fituara nga trafiku i drogës në Itali. Hetimi u nis mbi bazën e të dhënave të Sektorit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale.
Nga hetimet rezultoi se A.H. ishte arrestuar më 24 maj 2016 në Itali për trafikim droge dhe mbajtje të paligjshme të saj. Ai, së bashku me grupin kriminal, dërgonte paratë e fituara nga droga në Shqipëri përmes linjave të autobusëve dhe transportit ndërkombëtar.
Në qershor 2024, dy shoferë të një kompanie transporti u kapën duke transportuar në Shqipëri vlera monetare nga Italia, ku një prej tyre deklaroi se paratë ia kishte dhënë një shtetas italian kundrejt një pagese.
Pas verifikimeve rezultoi se shtetasit dhe kompanitë e tyre zotëronin pasuri të paluajtshme dhe shoqëri tregtare me miliona euro të dyshuara si të ardhura kriminale, ndërsa bilancet e kompanive rezultuan negativë.
Prokuroria vendosi sekuestro mbi:
Pasuri të paluajtshme në emër të A.H. dhe M.H., përfshirë apartamente dhe njësi në Fier, Tiranë dhe Vlorë;
Tokë arë dhe pasuri të shoqërive “A.” Sh.p.k dhe “A I” Sh.p.k në lagjen Sheq i Madh, Fier;
Pasuri të K.H., përfshirë apartamente në Fier;
Kuotat e shoqërive tregtare “A” Sh.p.k, “A Travel” Sh.p.k, “A Bus” Sh.p.k, “A I” Sh.p.k dhe “M Trans” Sh.p.k. /K.M
