Këtë të mërkurë, vendi ynë do të përballet me kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri të dendura gjatë gjithë ditës.
Reshjet e shiut priten të fillojnë që në orët e para të mëngjesit, kryesisht me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët, me mundësi për shtrëngata afatshkurtra në zona të caktuara.
Në zonat malore, reshje bore priten në Alpe mbi 700-900 metër në verilindje dhe lindje, dhe mbi 1000 metër në juglindje, me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe juglindja, me shpejtësi mesatare rreth 10 m/s. Gjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, era pritet të arrijë shpejtësi deri në 22 m/s.
Në detet Adriatik dhe Jon, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 3-5 ballë./kb
