Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin. Intervalet me diell do të jenë të shkurtra dhe kryesisht të pranishme në ultësirën perëndimore gjatë orëve të para të mëngjesit.
Reshjet e shiut pritet të nisin që në orët e para të ditës përgjatë vijës bregdetare, për t’u shtrirë gradualisht në pjesën tjetër të vendit me intensitet të ulët. Në orët e pasdites dhe deri në mbrëmje vonë, reshjet do të marrin intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa herë pas here do të shoqërohen me shtrëngata afatshkurtra.
Në zonën jugperëndimore dhe në ekstremin jugor, reshjet pritet të jenë më intensive, duke arritur deri në intensitet të lartë, me shtrëngata shiu të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Ndërkohë, në zonën e Alpeve si dhe në relievet malore të verilindjes, lindjes dhe juglindjes, në lartësitë mbi 1000–1100 metra, parashikohen reshje bore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Sa i përket kushteve detare, valëzimi pritet të jetë i forcës 4 deri në 6 ballë./kb
