nga Gioia Giudici
Nga Milano, ku mbërriti direkt nga Festivali i Filmit në Kanë pasi kryesoi jurinë e edicionit të këtij viti, regjisori koreano-jugor Park Chan-wook foli për projektin e tij të ardhshëm: një western i frymëzuar nga universi kinematografik i Sergio Leone.
Autori i trilogjisë së famshme të hakmarrjes – Oldboy, Sympathy for Mr. Vengeance dhe Lady Vengeance – mori çmimin “Homazh për Mjeshtrin” në festivalin La Milanesiana dhe shpjegoi se filmi i tij i ri do të përdorë Perëndimin e Egër amerikan si sfond për të folur mbi dhunën dhe origjinën e vetë Amerikës.
“Westerni është historia e origjinës së Shteteve të Bashkuara,” tha ai. “Ai vend është ndërtuar mbi dhunën dhe unë duhet të ndjek gjurmët e Serxho Leones, sepse ai arriti ta tregojë këtë në filmat e tij. Nuk dua të kopjoj stilin e tij, por shpresoj të marr shpirtin e tij.”
Filmi i ri titullohet The Brigands of Rattlecreek dhe pritet të jetë një western tipik në stilin e Park Çan-Ukut: i errët, brutal dhe i mbështetur mbi hakmarrjen. Në qendër të historisë është një sherif, i interpretuar nga Matthew McConaughey, i cili humbet gruan dhe fëmijët nga një bandë kriminelësh të udhëhequr nga Austin Butler.
Regjisori rrëfeu se realizimi i projektit ka qenë jashtëzakonisht i vështirë. Edhe pse konsiderohet një nga emrat më të rëndësishëm të kinemasë botërore dhe është vlerësuar në Kanë me Çmimin e Madh për Oldboy, Çmimin e Jurisë për Thirst dhe çmimin për Regjinë më të Mirë për Decision to Leave, ai tha se iu deshën plot 15 vite për të siguruar financimin e nevojshëm.
“Kinemaja amerikane nuk është konservatore, por liberale,” tha ai. “Megjithatë nuk arrita të gjeja investime të mjaftueshme për një kohë shumë të gjatë.”
Park Çan-Uk kujtoi edhe fillimet e tij të vështira në industrinë koreane të filmit. Në fillim të karrierës, producentët i kërkonin të realizonte filma në stilin komercial hongkongas, pa buxhet dhe pa të drejtë për të zgjedhur vetë aktorët. Megjithatë, sipas tij, krijimtaria nuk varet domosdoshmërisht nga paratë.
“Edhe pa buxhete të mëdha, nëse ke diçka për të thënë, mund ta realizosh,” u shpreh ai.
Regjisori foli edhe për ndryshimin e motivimeve të tij artistike ndër vite. Në rininë e tij, zemërimi ndaj diktaturës ushtarake dhe regjimit autoritar në Korenë e Jugut ishte shtysa kryesore e krijimtarisë së tij. Sot, sipas tij, ai zemërim është shndërruar në ankth për një shoqëri gjithnjë e më të dhunshme dhe të pabarabartë.
“Koreja e Jugut përjetoi një zhvillim shumë të shpejtë ekonomik, por tani përballet me një hendek tronditës mes të pasurve dhe të varfërve, pa politika sociale reale,” tha ai. “Kur bëj një film, mendoj njëkohësisht për shoqërinë, njerëzimin dhe gjininë kinematografike.”
I pyetur nëse kultura dhe kinemaja mund ta ndryshojnë shoqërinë, ai u përgjigj me skepticizëm: “Njerëzit ndryshojnë mendje vetëm kur janë të predispozuar ta bëjnë këtë. Megjithatë, secili duhet të japë maksimumin në rolin e vet.”
Për Park Çan-Ukun, një film nuk duhet të jetë as propagandë dhe as pamflet ideologjik. Pikërisht kjo është edhe trashëgimia që ai sheh tek Serxho Leone: mënyra sesi regjisori italian, përmes spageti-westernëve të tij, çmitizoi kufirin amerikan dhe e përdori westernin për të treguar brutalitetin që fshihej pas mitit amerikan.
