Last Updated on 12/10/2026 by Klara
Parkimet e dyfishta dhe automjetet e lëna në kundërshtim me drejtimin e lëvizjes vijojnë të krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor në Tiranë. Një video e publikuar në rrjetet sociale evidenton problematikën në disa zona të kryeqytetit, ku makinat e parkuara në mënyrë të parregullt pengojnë lëvizjen e mjeteve dhe kufizojnë hapësirat për biçikletat dhe këmbësorët.
Pamjet përfshijnë segmente nga rruga e Dibrës, pas Operas, zona pranë kafesë “Aremes”, dalja e Tufinës dhe Rruga e Arbërit.
“Pse bëhet trafiku në çdo cep të Tiranës? Ja pamjet filmike, që flasin vetë”, thuhet në mesazhin shoqërues të videos.
Përveç rëndimit të trafikut, parkimet e parregullta krijojnë pengesa për ambulancat, zjarrfikëset dhe policinë, duke rrezikuar vonesa në ndërhyrjet emergjente. Problematika prek gjithashtu transportin publik dhe qytetarët, të cilët përballen me vështirësi në lëvizjen e përditshme, veçanërisht në hapësirat e kufizuara për këmbësorët dhe biçikletat.
Përmes videos kërkohet më shumë vëmendje nga Policia Rrugore dhe Bashkia e Tiranës për kontrollin e parkimeve dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit.
“Disa parkojnë si të duan, ndërsa të gjithë të tjerët vuajnë pasojat! Rrugët nuk janë pronë private!”, thuhet në mesazhin shoqërues, me thirrjen për marrjen e masave ndaj parkimeve që pengojnë qarkullimin./k.m
