Parlamenti Europian do të organizojë sot, 23 qershor, një konferencë të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të forcave demokratike ruse, aktivistëve pacifistë, akademikëve dhe shoqërisë civile, me synimin për t’u ofruar një platformë dialogu dhe bashkëpunimi.
Kjo është hera e dytë që konferenca zhvillohet që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, do t’u drejtohet pjesëmarrësve përmes një mesazhi video, ndërsa në aktivitet do të marrin pjesë edhe komisionerët për Mbrojtjen dhe Zgjerimin, Andrius Kubilius dhe Marta Kos.
Në seancën hapëse pritet të mbajnë fjalime edhe aktivistja e të drejtave të njeriut Svetlana Gannushkina, themeluese e Komitetit të Ndihmës Civile, si dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe dhe ish-drejtori i “Novaya Gazeta”, Dmitry Muratov.
Gjatë tryezave të rrumbullakëta, pjesëmarrësit do të diskutojnë sfidat me të cilat përballet shoqëria ruse në fushën e të drejtave të njeriut, pasojat afatgjata të luftës në Ukrainë, si dhe rritjen e dezinformimit./MXH
