Ligjvënësit e Parlamentit Evropian votuan për të sfiduar marrëveshjen e kontestuar të tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Amerikës së Jugut në Gjykatën më të lartë të BE-së, një hap që mund të vonojë marrëveshjen deri në dy vjet dhe madje ta bllokojë atë.
BE-ja nënshkroi të shtunën marrëveshjen më të madhe tregtare në historinë e saj me anëtarët e Mercosur – Argjentinën, Brazilin, Paraguajin dhe Uruguajin. Megjithatë, marrëveshja kërkon miratimin përfundimtar përpara se të hyjë në fuqi.
Kritikët, të udhëhequr nga Franca – prodhuesi më i madh bujqësor i BE-së – thonë se marrëveshja do të rrisë ndjeshëm importet e mishit të lirë, sheqerit dhe shpendëve, duke dëmtuar fermerët vendas, të cilët kanë organizuar protesta të përsëritura.
Një grup prej 144 ligjvënësish dorëzoi një mocion parlamentar për të kërkuar nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së të vendosë nëse marrëveshja mund të aplikohet para ratifikimit të plotë nga të gjitha shtetet anëtare dhe nëse dispozitat e saj kufizojnë aftësinë e BE-së për të vendosur politika mjedisore dhe të shëndetit të konsumatorit. Zakonisht gjykata kërkon rreth dy vjet për të dhënë një opinion të tillë.
Mocioni u miratua nga Parlamenti Evropian me 334 vota pro, 324 kundër dhe 11 abstenime.
Nëse çështja i referohet gjykatës, BE-ja mund ta zbatojë marrëveshjen në mënyrë provizore deri në vendimin përfundimtar dhe miratimin parlamentar. Megjithatë, kjo mund të jetë sfidë politike, për shkak të reagimeve të mundshme, dhe Parlamenti Evropian do të ruajë fuqinë për ta anuluar më vonë marrëveshjen.
Mbështetësit e marrëveshjes, përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën, argumentojnë se marrëveshja është e nevojshme për të kompensuar humbjet nga tarifat amerikane të vendosura nga Presidenti Donald Trump dhe për të ulur varësinë nga Kina, duke siguruar qasje në minerale kritike. Ata gjithashtu paralajmërojnë se qeveritë e Mercosur po humbasin durimin pas viteve të negociatave me BE-në./mxh
