Last Updated on 05/03/2026 by Anisa
Nga Mentor Kikia
-Reflektim mbi projekt-ligjin për Financimin e Partive-
Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore po harton një projekt-ligj për Financimin e Partive.
“Sa më e madhe të jetë transparenca dhe konsolidimi i parimeve demokratike brenda partive, aq më e shëndetshme është edhe demokracia e një vendi”- tha bashkëkryetari i komisionit Damian Gjiknuri. Pikërisht kështu është, ky është thelbi.
Sepse partitë e korruptuara prodhojnë pushtet të korruptuar!
Nga të dyja palët, në një tryezë konsultimi, u tha se:
-Partitë nuk duhet të financohen nga krimi apo burime të huaja!
-Nuk duhet të financohen nga biznese me marrëdhënie kontraktuale me qeverinë(si investitorët strategjikë psh).
-Nuk duhet të financohen mbi një kuotë që parashikon ligji!
-Nuk duhet të financohen nga burime korruptive etj etj.
Këto janë edhe në ligjin aktual, që është në kuadër të ligjit zgjedhor.
Por çfarë dodh?
Ne këtu e dinim me saktësi se kush dhe sa para dha në fushtë për Donald Trampin apo Kamala Harrism në SHBA.
Por nuk mësuam dot kurrë se kush dhuroi qoftë edhe një qindarkë për PS-në dhe PD-në.
Sepse partitë nuk bëjnë transparencë për llogaritë bankare.
Kur raportojnë në KQZ, raportojnë çdo gjë brenda ligjit. Ato fshehin dhurimet përmes shpërndarjes së shumave si kuota anëtarësh(anëtarët s’kanë bukë të hanë jo të financojnë partitë).
Kush dhe si i financon partitë dhe fushatat?
-Sipërmarrësit e mëdhenj, ata që marrin tendera dhe koncensionet ekonomike nga shteti, japin para në të zezë ose në mënyrë jo transparente. Ata dhurojnë tollona karburanti për aktivistët, para cash dhe burime të tjera ekonomike.
-Partitë tërheqin kandidatë nga biznesi, pasi ata i financojnë vetë fushatat e tyre, në mënyrë tërësisht të padeklaruar.
-Zyrtarë të korruptuar që angazhohen në fushata duke paguar kostot e “operacioneve politike”.
-Burime të nëndheshme e të zeza, që mbështesin kandidatë, të cilët nga hiçi shpërthejnë në top listën e të votuarve(e konfirmuar edhe nga prokuroria kjo).
Kushdo që mbështet një parti të qëndrojë në pushtet apo të vijë në pushtet, nesër do e marrë 100 fish atë që jep. Kjo e prodhon korrupsionin, kjo e zhyt vendin gjithnjë e më thellë në batakun e vjedhjes.
Bëjeni sa të doni ligjin. Nëse duk do të bëhet verfikimi real i shpenzimeve, sërish partitë do të jenë “brenda ligjit”. Sepse pa tollonat e naftës mbështetësit nuk ju ndjekin as tek klubi i lagjes.
Nëse ka një çështje ku PS dhe PD janë marrë vesh pa ndërmjetës, është që të mos bëjnë transparencë për financimet./A.D
