Last Updated on 05/03/2026 by Anisa
Deputeti Petrit Vasili ka reaguar ndaj disa sondazheve që, sipas tij, japin një pasqyrë të pasaktë për kthimin e emigrantëve shqiptarë pas vitit 2013.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Vasili kritikon mënyrën se si, sipas tij, disa media dhe analiza përpiqen të interpretojnë të dhënat mbi emigracionin.
“Sipas sondazheve ‘debile’, kur emigrantët kthehen, popullsia zvogëlohet!”, shkruan ai në reagimin e tij, duke ironizuar rezultatet e një sondazhi që pretendon se 65.9% e shqiptarëve janë kthyer nga emigracioni pas vitit 2013.
Sipas Vasilit, nëse kjo shifër do të ishte reale, atëherë popullsia e Shqipërisë do të duhej të kishte shënuar rritje. “I bie sipas këtyre se Shqipëria duhej të rritej, bile shumë”, thekson ai.
Deputeti i referohet gjithashtu të dhënave të Censusit të realizuar nga institucionet shtetërore, sipas të cilave popullsia e vendit ka pësuar rënie në vitet e fundit.
“Vetë qeveria e Ramës bëri Census dhe doli që Shqipëria ishte pakësuar me rreth 400 mijë njerëz, duke rënë nga 2.8 milionë në 2.4 milionë banorë”, shkruan Vasili.
Në reagimin e tij, ai shton se këto të dhëna bien në kundërshtim me pretendimet për kthim masiv të emigrantëve. “Pra, sipas këtyre ‘ekspertëve’, sa më shumë shqiptarë kthehen nga emigrimi, aq më shumë zvogëlohet popullsia në Shqipëri”, shprehet ai me ironi.
Debati mbi emigracionin dhe ndryshimet demografike në vend vijon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara në opinionin publik dhe në arenën politike.fjala.al-A.D
