Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Nga Mentor Kikia
Sot, në hapërisën publike të medias mund të diskutohej për shumë çështje. P.sh:
-Çfarë impakti do të ketë për ekonominë tonë marrëveshja 20 vjeçare mes Qeverisë Shqiptare dhe dy kompanitë greke dhe amerikane për stacionin e gazit amerikan në Vlorë? Përse nuk u bë procesi i “gazifikimit të Shqipërisë” që do të përdorte gazin më çmim të arsyeshëm nga gazjellësi TAP?
-Çfarë duhet bërë për të ringritur bujqësinë, ndërthurjen e prodhimit vendas me turizmin, rajonizimin e saj si në çdo vend tjetër, psh?
-Si do të zgjidhet problemi i menaxhimit të mbetjeve që na qelbin nga maja e malit deri në fund të detit?
-Apo, cila formulë zgjedhore është më e drejta dhe më e mira për të garantuar zgjedhje më të mira në Shqipëri?
-Si duhet të bëhet ndarja e re territorial? Çfarë shkoi keq nga e para dhe si duhet bërë e dyta?….
Ka shumë më shumë, por mora disa shembuj.
Por çfarë ndodh? Cilat janë çështjet më shumë të diskutuara?
“Rrebelimi” i Elisës ndaj Ramës dhe “kryengritja” e Salianjit ndaj Berishës.
E kuptoni ku kemi degraduar si shoqëri? Në dy partitë më të mëdha, ka dy njerëz që nuk janë dakrod me disa çështje në partitë e tyre. Dhe ata përjashtohen, vetëpërjashtohen, paralajmërohen….
Në cilin vend do të ndodhte kjo dhe do të përbënte lajm? Askund! Sepse në një shoqëri demokratike, këto janë gjëra mëse normale. Këtu zjen media e rrjeti, se Elisa iu përgjigj Ramës. Sepse partitë janë bërë si reparte ushtarake, ku komandanti urdhëron e të tjerët binden, heshtin, ulen, shtrihen, zvarriten, këndojnë, qeshin, vetëm me komandë.
Dhe kur dikush del nga rreshti, ose nuk i thotë komandadit “shëndet” kur ai teshtin, ose kur nuk qesh kur komandanti tregon një barcaletë, atëherë është ngjarje e madhe.
Turp!
