Pas 25 vitesh festivali i njohur “Kënga Magjike” vjen me një format të ri dhe ndryshime të rëndësishme në sistemin e votimit.
Sipas një njoftimi të bërë nga producenti Ardit Gjebrea në “Instagram”, këtë vit artistët nuk do të votojnë më kolegët e tyre, duke i dhënë fund një prej elementëve më të diskutuar të festivalit ndër vite.
Në vend të sistemit të mëparshëm, vlerësimi i këngëve do të bëhet nga një kombinim i jurisë dhe publikut, me synimin për të rritur transparencën dhe për të shmangur debatet e përsëritura mbi favorizime apo marrëveshje mes artistëve.
Gjebrea ka deklaruar më herët se ideja është që artistët të mos jenë më pjesë e një gare të ndikuar nga votimet mes tyre, por të fokusohen te muzika dhe impakti i këngëve në publik.
Në këtë edicion, Kënga Magjike pritet të sjellë gjithashtu rikthimin e disa çmimeve të veçanta, duke krijuar një format më shumë spektakolar sesa garues në kuptimin klasik.
Ndërkohë, publiku do të ketë rol më të madh në përcaktimin e këngëve më të pëlqyera dhe atyre që mbeten në tregun muzikor./mxh
