Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, ka komentuar largimin e ish-deputetes socialiste Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i PS-së, pasi kjo e fundit njoftoi pak ditë më parë se do të vijojë mandatin e saj si deputete e pavarur.
E ftuar në emisionin “Now”, Gjuzi theksoi se për këtë çështje do të ketë një qëndrim zyrtar të grupit parlamentar dhe se nuk është e udhës që deputetët të japin komente individuale përpara se të shprehet grupi.
“Do kemi një qëndrim si grup parlamentar, që mendoj që një grup që funksionon siç duhet, nuk flet secili me kokën e vet. Ekipi ka disa rregulla etike dhe morale. Kryetari i grupit parlamentar do të dalë me një qëndrim të grupit”, u shpreh ajo.
Deputetja bëri të ditur se çështja është diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar të hënën, pas vendimit të Koçekut për t’u larguar nga PS dhe për të vijuar aktivitetin politik si deputete e pavarur.
Gjuzi shtoi se personalisht nuk merret me debatet dhe komentet që zhvillohen në rrjetet sociale, duke nënvizuar se diskutimet mbi çështje të tilla duhet të zhvillohen fillimisht brenda strukturave të grupit parlamentar.
“Unë personalisht nuk merrem me komentet e bëra nëpër rrjetet sociale. Mendoj që grupi parlamentar është një institucion më vete, ku çfarë ka për t’u diskutuar duhet diskutuar aty dhe gjithësecili më vonë mund të dalë dhe të japë qëndrimin e vet”, deklaroi ajo.
Largimi i Marjana Koçekut nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka ngjallur reagime në skenën politike, ndërsa pritet që drejtuesit e grupit të bëjnë publik qëndrimin zyrtar mbi këtë zhvillim./a.d
