Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të shtunë një vizitë në Vlorë, ku axhenda e tij do të përfshijë takime me qytetarë dhe ndalesa në disa prej zonave të qytetit dhe të qarkut.
Vizita pritet të nisë rreth orës 16:00 në Pallatin e Kulturës, ku Rama do të zhvillojë një bashkëbisedim me qytetarët.
Në fokus të diskutimit pritet të jetë reforma territoriale dhe mënyra se si ajo mund të ndikojë në administrimin dhe zhvillimin e zonave të qarkut Vlorë.
Pas takimit, kryeministri pritet të vijojë lëvizjet në Lungomare, ndërsa një tjetër pikë e axhendës do të jetë ish-Parku Aulona.
Në këtë hapësirë pritet të prezantohet një projekt i ri, pjesë e planeve për transformimin e zonës në një mjedis publik të përshtatshëm për çlodhje, aktivitete dhe ndërveprim qytetar.
Rama do të vijojë më pas drejt territorit të Bashkisë Selenicë, ku janë parashikuar takime të tjera.
Ky takim i Ramës vjen pas ndryshimeve të fundit në qeveri.
Një ditë më parë ai shkarkoi nga detyra ministrin Besfort Lamallari duke emëruar në postin e tij si ministër të Brendshëm Ervin Demo./k.m
