Last Updated on 12/06/2026 by EL
Më shumë se 336 milionë euro të lidhura me aktivitet kriminal dyshohet se janë pastruar përmes një platforme kriptomonedhash që përdorej nga hackerë dhe grupe të përfshira në sulme kibernetike në mbarë botën.
Platforma, e njohur si “AudiA6”, është goditur pas një hetimi ndërkombëtar të koordinuar nga Eurojust dhe Europol. Sipas autoriteteve, shërbimi përdorej për të fshehur origjinën e kriptomonedhave të vjedhura dhe për të rikthyer fondet te klientët si para të “pastruara”, kundrejt komisioneve që arrinin deri në 10%.
Hetimet zbuluan se platforma ishte përdorur nga kriminelë kibernetikë të përfshirë në sulme ransomware dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Dyshohet se grupi që e administronte kontrollonte gjithashtu edhe forumin “Dark2Web”, një treg online ku reklamoheshin shërbime të paligjshme dhe krijoheshin lidhje mes grupeve kriminale nga vende të ndryshme.
Operacioni kulmoi më 10 qershor në Gjeorgji, ku u arrestuan dy administratorë të dyshuar të rrjetit. Gjatë aksionit u kontrolluan tre prona, u mbyllën 25 domene interneti dhe u sekuestruan më shumë se 30 serverë.
Autoritetet konfiskuan gjithashtu mbi 80 automjete dhe disa prona, ndërsa ngrinë rreth 692 mijë euro në kriptomonedha dhe sekuestruan mbi 86 mijë euro të tjera në asete dixhitale.
Sipas hetuesve, një rol kyç në skemë kishin mijëra llogari të rreme të hapura me identitete të vjedhura ose të blera. Gjatë hetimit u identifikuan më shumë se 6 mijë dokumente verifikimi të përdorura për krijimin e llogarive të ashtuquajtura “money mule”, që shërbenin për lëvizjen e parave përmes bursave të kriptomonedhave.
Në operacion u përfshinë autoritete nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Polonia, Gjeorgjia dhe Islanda, ndërsa Eurojust luajti një rol kyç në koordinimin e veprimeve gjyqësore dhe bashkëpunimit mes vendeve të përfshira në hetim./et
