Last Updated on 24/07/2025 by adminfjala
Alexandre Pato, ish-sulmuesi i Milanit, ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist. Në një intervistë rrëfyese për “Gazzetta dello Sport”, braziliani flet me zemër të hapur për vendimin e tij, për familjen dhe raportin me futbollin pas viteve në fushë.
“Kur isha te Sao Paulo dhe bashkëshortja ime, Rebecca, priste djalin tonë, për herë të parë kuptova se të shkoja në stërvitje nuk ishte më prioritet. Doja të isha pranë saj gjatë gjithë kohës. Dhe tani që ka ardhur në jetë Benjamin, dua ta shoh të rritet, të mos humbas asnjë moment me të. Është vetëm një vit e gjysmë dhe tashmë e godet topin me këmbë”.
Fizikisht, ju dukeni ende si futbollist…
Vazhdoj të stërvitem në palestër dhe luaj tenis. Më pëlqen shumë dhe jam mjaft konkurrues. Kur isha tek Orlando City, shkova të shikoja një turne dhe takova Federer gjatë një seance stërvitore. Kisha frikë ta shqetësoja, por ai më pa dhe më ftoi në fushë. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm.
A e ndjen ende thirrjen e fushës?
Sinqerisht, jo. Ndeshjen e fundit e kam luajtur gati dy vite më parë dhe nuk ndiej më atë dëshirë për të luajtur, edhe pse e konsideroj veten në një fazë kalimtare, ku po vendos çfarë do të bëj më pas. Futbollin vazhdoj ta dua, por familja ime është në plan të parë. Të jem sot këtu me fanellën e Milanit është një kënaqësi e madhe që më rikthen ndjenja të bukura të së kaluarës.
A do të të shohim në të ardhmen si trajner apo drejtues?
Kush e di… Nuk besoj si trajner, të paktën kështu mendoj tani. Ndoshta si drejtues apo edhe si pronar klubi. Kam grumbulluar shumë përvojë gjatë karrierës sime dhe do të doja ta ndaja me futbollistët e rinj. Më pëlqen kjo ide. m.p.