Qeveria kamboxhiane njoftoi sot se forcat e armatosura tajlandeze nuk kanë ndaluar bombardimet në zonën kufitare të diskutueshme, disa orë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se, pas ndërmjetësimit të tij, udhëheqësit e të dy vendeve kishin rënë dakord për një armëpushim.
Nga ana e tij, Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul tha se operacionet ushtarake do të vazhdojnë derisa të eliminohen kërcënimet ndaj vendit dhe popullit të tij, duke denoncuar shkeljet e armëpushimit të rënë dakord nga pala kamboxhiane, siç raportojnë mediat e huaja.
Trump njoftoi të premten, nëpërmjet një postimi në platformën ‘Truth Social’ se Tajlanda dhe Kamboxhia kishin rënë dakord për një armëpushim, pas një telefonate me kryeministrat e të dy vendeve, Anutin Charnvirakul dhe Hun Sen.
Luftimet kanë vazhduar përgjatë kufirit të diskutueshëm tajlando-kamboxhian që nga e hëna, duke vrarë të paktën 20 persona dhe duke detyruar qindra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Kjo pasoi një konflikt ushtarak pesë-ditor në korrik që la 43 të vdekur dhe më shumë se 300,000 të zhvendosur.
Analistët politikë e konsiderojnë jashtëzakonisht të vështirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje që do të zgjidhte konfrontimin e gjatë midis dy mbretërive mbi demarkacionin e kufijve që u hartuan gjatë pushtimit francez të ish-Indokinës./mxh
