Last Updated on 09/07/2026 by Anisa
Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri-Bashkimi Evropian nuk arriti të dalë me një rezolutë të përbashkët në mbledhjen e zhvilluar sot në Strasburg.
Kjo për shkak se deputetët demokratë nuk dhanë votën e tyre pro draftit përfundimtar, i cili u votua nga socialistët dhe eurodeputetët.
Tekstit të dokumentit, të propozuar nga Sekretariati i Komitetit Parlamentar iu bashkëngjitën edhe rezoluta e Parlamentit Europian dhe Rezoluta e miratuar nga Parlamenti shqiptar lidhur me procesin e anëtarësimit në BE. Kjo sipas socialistëve ishte e mjaftueshme që ta që të mos paraqisnin amendamente.
“Në këto kushte, përsëritja e përmbajtjes së këtyre dy rezolutave, duke hequr njëkohësisht pjesët që evidentojnë qartësisht ecurinë pozitive të Shqipërisë në këtë rrugëtim, nuk kishte as kuptim politik, as logjikë institucionale dhe as vlerë shtesë për tekstin e përbashkët. Është po ashtu e rëndësishme të theksohet se një numër amendamentesh të propozuara nga Partia Demokratike u mbështetën dhe u votuan edhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, pikërisht në frymën konsensuale që duhet të karakterizojë një proces kaq të rëndësishëm sa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, sqarojnë socialistët në përfundim të mbledhjes.
“Deputetët e Partisë Socialiste votuan një pjesë të amendamenteve të Partisë Demokratike, me përjashtim te formulimeve që nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. Nuk mund të pranohej tentativa për të deformuar balancën e dokumentit, përmes përjashtimit të plotë të çdo reference që pasqyron progresin e njohur dhe të certifikuar nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe njoftimin për përmbylljen e kapitujve të negociatave”.
Ndërsa demokratët pretendojnë se votuan kundër për shkak se shumica socialiste refuzoi 30 amendamente të paraqitura nga PD, që në thelbin e tyre përmbanin kriteret dhe kërkesat jetike për avancimin e procesit të integrimit evropian.
“Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit”, thuhet në një deklaratë të grupit të PD./ad
