Last Updated on 26/02/2026 by Anisa
Në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) u prezantua draft-raporti për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Diskutimi theksoi përparimet, por edhe sfidat që vendi ka ende për t’u përafruar plotësisht me standardet e BE-së.
Kryetari i Komisionit AFET, David McAllister, u shpreh se Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë drejt anëtarësimit, por duhet të intensifikojë përpjekjet për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit. Ai theksoi se nuk mjafton vetëm përshtatja e ligjeve me standardet evropiane, por edhe zbatimi i tyre në praktikë.
“Ndërkohë që Shqipëria ka hapur negociatat, ne mbështesim ecurinë. Por vendi duhet të punojë më shumë në këtë fazë të rëndësishme. Miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm, duhen ndryshime konkrete dhe implementimi i tyre. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike,” tha McAllister.
Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, nënvizoi shqetësimet për korrupsionin dhe për situatën politike të ndikuar nga polarizimi. Ai përmendi dyshimet për blerje votash dhe radikalizimin e politikës, sidomos në javët e fundit. Schieder theksoi nevojën për përfundimin e kapitujve të negociatave me ndryshime konkrete dhe përmendi objektivin për vitin 2024 si të arritshëm nëse implementohen reformat.
“Klima politike nuk është optimale. Ka shqetësime për zgjedhjet dhe për radikalizimin e politikës, që po shfaqet më shumë në rrugë se sa në sallën e Parlamentit. Korrupsioni mbetet një problem i madh që duhet adresuar. Prioritet tani është përmbyllja e kapitujve të negociatave me ndryshime konkrete,” tha Schieder.
Eurodeputeti Andrey Kovatchev ngriti çështjen e hetimeve në Shqipëri, duke përmendur rastin e Zv. Kryeministres Balluku dhe nevojën që SPAK të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa presion politik. Ai shtoi se parlamenti duhet të shqyrtojë kërkesat për heqjen e imunitetit pa vonesë dhe u shpreh i shqetësuar për ndryshimet e mundshme në Kodin e Procedurës Penale, që mund të mbrojë zyrtarët nën hetim.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate konkrete. Hetimet, përfshirë atë të Zv. Kryeministres, duhet të vazhdojnë pa ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit pa vonesë është përgjegjësi e parlamentit,” tha Kovatchev.
Raporti i Komisionit Evropian thekson se për Shqipërinë sfidat kryesore mbeten implementimi i reformave ligjore, lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i klimës politike, të gjitha elemente kyçe për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në BE./A.D
