Last Updated on 30/09/2026 by EL
Momente tmerri kanë përjetuar pasagjerët e një avioni që udhëtonte nga Dubai drejt Izraelit. Avioni i kompanisë Flydubai, me rreth 150 persona në bord, devijoi papritur dhe u ul në Arabinë Saudite, pak pasi kishte lëshuar sinjalin e emergjencës.
Kjo nxiti alarmin për një rrëmbim të mundshëm, duke bërë që Izraeli të ngrejë në ajër avionët luftarakë. Por, sipas zyrtarëve në Tel Aviv, qeveria izraelite beson se incidenti mund të ketë qenë një përpjekje për sulm terrorist nga një prej pilotëve.
Kompania e fluturimit njoftoi se kishte pasur një përleshje në kabinë gjatë fluturimit, teksa piloti i dytë thuhet se ka plagosur me thikë kapitenin, përpara se pjesëtarë të ekuipazhit të hynin në kabinë dhe të merrnin kontrollin e avionit.
Pasagjerët e cituar nga mediat përshkruajnë momentet e tmerrit, duke thënë se kishin dëgjuar ulërima dhe më pas kishin parë gjak të dilte nga kabina e pilotimit.
Të dhënat e Flightradar24 dokumentuan se avioni kishte zbritur brenda pak minutash nga rreth 10 mijë metra në 5 mijë metra lartësi, përpara se të kryente një manovër të pazakontë pranë kufirit me Jordaninë.
Raportime kontradiktore po publikohen në mediat izraelite, me disa prej tyre që shkruajnë se piloti ishte përpjekur të rrëzonte avionin, në një tentativë vetëvrasëse. Disa media i identifikojnë pilotët si shtetas të Omanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministri i Jashtëm, Israel Katz, thirrën një mbledhje të sigurisë.
Sipas mediave, në vazhdën e një vlerësimi të situatës nga krerët e sigurisë dhe Mossadit, në Izrael po përhapet bindja se incidenti në avionin e Flydubai ishte një sulm terrorist. /et
