Gazetarja Klodiana Lala, duke folur për problematikat e përmbytjes në qytetin e Durrësit, njoftoi se kati i parë i burgut vijon të jetë i përmbytur dhe të paraburgosurit janë zhvendosur në katin e dytë, ndërsa autoritetet vendore dhe qendrore nuk po mbajnë përgjegjësi.
“Ka pasur problematika edhe në burgun e Durrësit, ku qelitë e katit të parë janë përmbytur tërësisht. Të gjithë të paraburgosurit, përfshirë zyrtarë të lartë nga ish-ministri Beqaj dhe kryebashkiaku Veliaj, janë zhvendosur në katin e dytë dhe për momentin po mbahen aty, pasi kati i parë nuk është rikthyer në normalitet.
Institucionet vendore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë. Ka pasur një protestë, dhe kryetarja e bashkisë nuk ka kërkuar as ndjesë, edhe pse pjesa kryesore e hidrovoreve nuk ka funksionuar dhe ka shkaktuar miliona euro dëme. Duhet të ketë ndjesë dhe dëmshpërblime për banorët. Gjithë propagandës për hedhjen e plehrave nga qytetarët i harrohet fakti se inceneratori, për të cilin janë dhënë mbi 100 milionë euro, ende nuk funksionon.
Si është e mundur që nuk flitet për projektin e inceneratorëve, që duhej të ishte më i madhi në vend, dhe tani qytetarët akuzohen për hedhjen e plehrave? Janë mbi 1,000 banesa të dëmtuara,” tha Lala./mxh
