Përmbytja katastrofike në Nepal ka rikthyer vëmendjen te një tjetër rrezik që po rritet për shkak të ndryshimeve klimatike: shembjet e akullnajave dhe shpërthimet e liqeneve akullnajore në zonat malore të Evropës.
Autoritetet në Nepal dyshojnë se përmbytja e fuqishme që goditi vendin ditët e fundit u shkaktua nga shpërthimi i një liqeni akullnajor ose nga shembja e një akullnaje në Himalaje. Një masë e madhe uji, balte dhe mbetjesh përshkoi afro 170 kilometra përmes Tibetit jugperëndimor dhe më pas në drejtim të Nepalit qendror, duke shkaktuar qindra viktima.
Ekspertët paralajmërojnë se një fenomen i ngjashëm mund të ndodhë edhe në Evropë, veçanërisht në Alpe, megjithëse me përmasa potencialisht më të kufizuara.
“Evropa është ndër kontinentet që po ngrohen më shpejt, për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Tërheqja e shpejtë e akullnajave dhe shkrirja e permafrostit po destabilizojnë zonat e larta malore”, tha glaciologu Olaf Eisen, profesor në Institutin Alfred Wegener për Kërkime Polare dhe Detare dhe në Universitetin e Bremenit.
Eisen sjell si shembull ngjarjen e majit 2025 në fshatin zviceran Blatten, ku një masë shkëmbore dhe akullnajore u shemb. Fshati ishte evakuuar paraprakisht, por një 64-vjeçar humbi jetën.
Megjithatë, sipas tij, një katastrofë në Alpe vështirë se do të arrinte përmasat e asaj në Nepal. Vlerësimet paraprake sugjerojnë se vëllimi i ortekut në Nepal ishte rreth 10 deri në 20 herë më i madh se ai në Blatten.
Zonat që konsiderohen më të ekspozuara në Evropë ndodhen kryesisht në lartësi rreth 2,500 deri në 3,000 metra dhe përfshijnë pjesë të Francës, Italisë, Austrisë dhe Zvicrës.
Rreziku rritet veçanërisht kur shkrirja e akullnajave kombinohet me fenomene ekstreme të motit, si valët e të nxehtit dhe reshjet intensive.
Rreziku i shembjeve të akullnajave në Zvicër
Zvicra është një nga vendet ku pasojat e ndryshimeve klimatike mbi akullnajat janë veçanërisht të dukshme. Që prej vitit 1850, rreth 1,000 akullnaja janë zhdukur në vend, ndërsa një sipërfaqe prej rreth 1,000 kilometrash katrorë ka humbur mbulesën e saj të akullit.
Një nga akullnajat që monitorohet prej vitesh është Weisshorn East, ku këtë javë janë regjistruar tre shembje të vogla.
“Akullnaja monitorohet prej vitesh dhe ka lëvizje të përsëritura, herë më shumë e herë më pak”, tha për SRF Frederic Imboden, kryetari i komunës Randa, pranë së cilës ndodhet akullnaja.
Sipas vlerësimeve, nga akullnaja mund të shkëputen potencialisht disa qindra mijëra metra kub material. Aktualisht nuk ka rrezik për banorët, por shtigjet për këmbësorë dhe rrugët për biçikleta janë mbyllur për arsye sigurie.
Si shkaktohen shembjet e akullnajave?
Shembjet e akullnajave mund të jenë pjesë e proceseve natyrore dhe ciklike. Por ndryshimet klimatike po i bëjnë këto fenomene gjithnjë e më të mundshme.
Problemi është veçanërisht serioz në zonat që historikisht kanë qëndruar të ngrira gjatë gjithë vitit. Aty gjendet permafrost-i, shtresa e tokës që ka mbetur e ngrirë vazhdimisht për të paktën dy vjet.
Me rritjen e temperaturave, permafrost-i fillon të shkrihet dhe akullnaja mund të shkrijë edhe në bazën e saj. Si pasojë, lidhja e saj me terrenin dobësohet.
Në disa raste, ekspertët kanë vërejtur formimin e rezervuarëve të ujit nën akullnajë, edhe kur pjesa e përparme e saj mbetet ende e ngrirë.
Gjatë valëve të të nxehtit ose reshjeve të mëdha, presioni i ujit mund të rritet deri në atë pikë sa pjesa e ngrirë përpara të shembet. Kjo mund të çlirojë në një moment të vetëm një masë të madhe akulli.
Një nga shembujt më tragjikë ndodhi në vitin 2022 në akullnajën Marmolada, në Dolomite të Italisë. Një bllok i madh akulli u shkëput nga akullnaja dhe vrau 11 alpinistë.
Sipas Eisen, mbrojtja e klimës është njëkohësisht edhe mbrojtje e akullnajave.
“Çdo e dhjeta e një grade më pak ka rëndësi”, thekson ai, duke shtuar se nëse temperaturat mesatare do të uleshin sërish, akullnajat do të mund të përshtateshin dhe të rriteshin.
Ndërhyrjet mekanike për mbrojtjen e akullnajave mund të kenë vetëm efekt afatshkurtër dhe përdoren kryesisht në zona të caktuara të skive. Ato kërkojnë gjithashtu shumë energji dhe punë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po ndryshon me shpejtësi ekuilibrin e zonave malore. Ajo që dikur konsiderohej një fenomen i rrallë mund të bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, duke e kthyer shkrirjen e akullnajave në një kërcënim jo vetëm për ekosistemet, por edhe për komunitetet që jetojnë në luginat e Alpeve./kb
