Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Republikën Çeke, ku janë përplasur dy trena pasagjerësh.
Si pasojë të paktën pesë persona janë plagosur rëndë dhe 40 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta, njoftuan zyrtarët lokalë dhe media. Shërbimet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit thanë se përplasja ndodhi rreth 132 kilometra në jug të Pragës, rreth orës 06:20.
Ministri çek i Transportit, Martin Kupka njoftoi se kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit, ndërsa shtoi se raportet paraprake sugjerojnë se një tren mund të ketë kaluar një sinjal në pozicionin e ndalimit.
Martin Kavka, një zëdhënës i operatorit hekurudhor Sprava zeleznic, bëri me dije se të gjithë pasagjerët janë evakuuar nga trenat.
Kjo ngjarje vjen vetëm disa ditë pasi dy trena u përplasën me njëri-tjetrin në Sllovaki , duke plagosur rreth 100 persona. Rreth 800 persona ishin në bord të dy automjeteve kur ato u përplasën rreth 19 kilometra në veri të kryeqytetit, Bratislavë./ K.M

