Një valë e re tensionesh diplomatike dhe fetare ka përfshirë Lindjen e Mesme pas lëvizjeve të fundit të qeverisë izraelite për aplikimin e dënimit me vdekje për veprat penale që lidhen me terrorizmin. Ky hap ka nxitur reagime të menjëhershme nga OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe udhëheqësit fetarë në rajon.
Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, ka dënuar ashpër këtë iniciativë, duke paralajmëruar se masa të tilla vetëm sa do të përshkallëzojnë situatën.
“Ky vendim nuk sjell siguri, por do të gjenerojë vetëm më shumë urrejtje,” deklaroi Pizzaballa, duke theksuar se cikli i hakmarrjes po e bën pajtimin pothuajse të pamundur. Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar qëndrimin e tij kundër dënimit kapital, duke paralajmëruar Izraelin se ky vendim bie ndesh me vlerat demokratike.
Propozimi mbështetet fuqishëm nga krahu radikal i koalicionit qeverisës në Izrael, të cilët e shohin atë si mjetin e vetëm parandalues pas ngjarjeve tragjike të tetorit të kaluar.
Tensionet u pasqyruan edhe në terren gjatë festimeve të të Dielës së Larit, ku forcat e sigurisë fillimisht penguan lëvizjen e autoriteteve fetare drejt Varrit të Shenjtë, duke shkaktuar protesta diplomatike nga Italia dhe Franca.
Analistët paralajmërojnë se ky ligj i ri mund të shërbejë si një “fitil” i ri për trazira të mëtejshme në një rajon që tashmë ndodhet në prag të shpërthimit.
