Qeveria spanjolle ka njoftuar se nga mesnata e së shtunës deri më 7 shtator do të kryhen kontrolle të pasaportave, shtetësisë dhe vizave për pasagjerët italianë dhe udhëtarët nga vende të tjera që mbërrijnë në Spanjë nga Italia. Sipas autoriteteve spanjolle, vendimi është marrë për shkak të “presionit të vazhdueshëm të migracionit të parregullt” që lidhet me Italinë.
Ky hap vjen pasi Italia vendosi më herët masa të ngjashme, duke pezulluar përkohësisht disa rregulla të zonës Schengen për shtetasit jo-BE që mbërrijnë nga Spanja. Roma e justifikoi vendimin me fluksin masiv të emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës më 30 korrik.
Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 72 mijë persona hynë në mënyrë të paligjshme në Ceuta nga Maroku brenda 24 orëve, megjithëse shumica dërrmuese e tyre janë kthyer më pas në Marok. Italia ka bërë të ditur se masat e saj do të mbeten në fuqi të paktën deri më 15 gusht.
Para se të shpallte kontrollet e reja kufitare, Madridi i cilësoi masat italiane si “të pajustifikuara, në kundërshtim me interesat e Bashkimit Evropian dhe diskriminuese ndaj qytetarëve të Spanjës”, duke paralajmëruar kundërmasa. Zona Schengen u mundëson mbi 450 milionë qytetarëve të lëvizin lirshëm mes vendeve anëtare pa kontrolle të rregullta kufitare, duke përfshirë 25 nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, tragjedia në Ceuta ka lënë të paktën 80 emigrantë të vdekur. Shumë prej tyre humbën jetën nga mbytja ose gjatë shtypjes në përpjekje për të kaluar barrierën kufitare, ndërsa 11 viktima u raportuan në anën marokene të kufirit.
Autoritetet spanjolle kanë dërguar forca shtesë policore dhe ekspertë të mjekësisë ligjore për të përshpejtuar identifikimin e viktimave. Për trupat që nuk do të identifikohen në kohë, janë marrë gjurmë gishtash dhe mostra ADN-je për të ndihmuar në identifikimin e tyre dhe njoftimin e familjarëve.
Kriza ka nxitur retorikë më të ashpër kundër emigracionit në disa vende evropiane dhe ka thelluar tensionet diplomatike brenda Bashkimit Evropian lidhur me politikat e menaxhimit të kufijve. Spanja ka akuzuar disa partnerë evropianë për një qasje “jondihmuese dhe përçarëse” ndaj situatës. /Kb
