Tensionet mes Afganistanit dhe Pakistanit vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa përplasjet ushtarake kanë hyrë në ditën e gjashtë radhazi, duke shënuar konfliktin më të rëndë mes dy vendeve në vitet e fundit.
Ministria afgane e Mbrojtjes deklaroi se Afganistani nuk do të lejojë që territori i tij të përdoret kundër vendeve të tjera. Nga ana tjetër, një zëdhënës i qeverisë talebane akuzoi Pakistanin për shkelje të përsëritura të hapësirës ajrore afgane dhe për sulme ndaj civilëve në disa provinca, përfshirë edhe kryeqytetin Kabul.
Sipas Misionit të Kombeve të Bashkuara për Ndihmë në Afganistan, United Nations Assistance Mission in Afghanistan, të paktën 42 civilë janë vrarë dhe 104 janë plagosur nga e enjtja deri të hënën si pasojë e luftimeve mes dy vendeve.
Autoritetet në Kabul njoftuan gjithashtu se kanë marrë nën kontroll një tjetër postë pakistaneze në rajonin e Kandahar, ndërsa përleshjet në terren vazhdojnë.
Konflikti u ndez javën e kaluar pasi talebanët thanë se kryen sulme hakmarrëse ndaj instalacioneve pakistaneze, në përgjigje të veprimeve të Islamabadit kundër militantëve në territorin afgan. Kabuli akuzon forcat pakistaneze për shënjestrimin e civilëve, një pretendim që Pakistani e mohon.
Situata mbetet e tensionuar, me frikën e një përshkallëzimi të mëtejshëm që mund të destabilizojë edhe më shumë rajonin e Azisë Jugore./mxh
