Last Updated on 08/06/2026 by EL
Nga Andi Mustafaj
Ka një paradoks në qendër të protestës aktuale. Pikërisht ajo që duket si forca e saj më e madhe (mungesa e një fytyre, e një lideri, e një mishërimi) është në të vërtetë kufiri që mund ta përcaktojë fatin e saj. Për ta kuptuar këtë, duhet të ndajmë analizën në dy pjesë: njërën teorike, tjetrën praktike.
Pjesa teorike
A ekziston një ide përtej njerëzve që e mishërojnë atë? A ekziston vërtet një ide nëse gjendet vetëm në botën e vet, atë të ideve?
Përgjigja, sado e pakëndshme për idealistët, është jo. Një ide që mbetet vetëm ide nuk ekziston në kuptimin politik të fjalës. Ajo është potencial, jo realitet. Për të ekzistuar me të vërtetë, ideja duhet të realizohet duhet të kalojë nga bota abstrakte në botën konkrete.
Mishërimi është procesi me të cilin një ide gjen një bartës, një zë, një vullnet që e mban, e mbron dhe e çon drejt realizimit. Pa mishërim, ideja qëndron e varur në ajër, e bukur, e drejtë, por e pafuqishme për të prodhuar pasoja politike afatgjata.
Tani vjen pyetja vendimtare: a mund ta mishërojë një masë qytetare një ide?
Përgjigja është përsëri jo. Dhe kjo nuk është gjykim moral mbi masën qytetare, është konstatim mbi natyrën e saj. Masa qytetare ka dinamika që e bëjnë të paaftë për mishërim. Ajo lëviz me emocion, përshkohet nga rryma të ndryshme, shpesh të kundërta që e pamundësojnë fiksimin e qëndrueshëm drejt një objektivi.
Masa qytetare mund të prodhojë energji të jashtëzakonshme, por nuk mund ta drejtojë atë energji në mënyrë të vazhdueshme drejt një qëllimi politik. Ajo nuk njeh disiplinën që kërkon realizimi i një ideje në kohë.
Prandaj duhet një njeri ose një strukturë e organizuar njerëzish, që të takohet me idenë. Ideja mund të jetë e tija, ose mund të jetë e masës që ai zgjedh ta përfaqësojë. Por takimi midis idesë dhe mishërimit është i pashmangshëm. Protesta që po ndodh sot në Shqipëri nuk bën përjashtim nga ky ligj.
Pjesa praktike
Pse ka rëndësi mishërimi? Çfarë na mëson historia politike shqiptare?
Mishërimi është thelbësor, të paktën po aq vendimtar se vetë ideja. Le ta themi qartë, edhe pse është e pakëndshme: të gjitha temat e trajtuara në protestën aktuale janë trajtuar nga Partia Demokratike ndër vite. Të gjitha. Korrupsioni, kapja e shtetit, shkatërrimi i mjedisit, betonizimi, shitja e territorit. Asnjë prej tyre nuk është temë e re.
Megjithatë, një pjesë e zhurmshme e protestës aktuale nuk i ka përqafuar kurrë këto kauza kur i ngrinte PD. Nuk po flas për votën, vota është akt bindjeje dhe respektohet nëse nuk jepet. Po flas për diçka më të thjeshtë: as në protesta nuk dilnin. Pra kauza ishte dytësore përballë mishërimit. Nuk kishte rëndësi nëse kishte korrupsion apo jo, kishte rëndësi se kush e thërriste protestën. Nëse e thërriste Berisha apo PD, ata nuk dilnin (e kam trajtuar gjerësisht këtë çështje në analizën e tipologjisë së propagandës dhe veçanërisht pjesës mbi “fajin e ka Saliu” që ajo ka zhvilluar ndër vite).
Ky është një element thelbësor që duhet kuptuar: për një pjesë të shqiptarëve, kauza është dytësore dhe mishërimi është kryesor. Dëshmitë janë të shumta dhe të freskëta. Zoti Lapaj, qëndroi vetëm për muaj të tërë përballë Kryeministrisë. E njëjta gjë vlen për protestat e zotit Qorri apo ato të zotit Shehaj. Të njëjtat tema, fati i ndryshëm. Pse? Sepse mishërimi ishte i ndryshëm.
Përfundimi
Duke ditur këtë rëndësi, po aq teorike sa praktike, na lind një e drejtë legjitime: të dimë kush e mishëron këtë protestë. Jo nga kurioziteti, por nga domosdoshmëria strategjike.
Protesta nuk ekziston për të ekzistuar. Protesta ekziston për të pasur sukses. Dhe njeriu që merr pjesë në të nuk duhet të mendojë vetëm për sot, por edhe për nesër, për ditën kur euforia bie dhe mbetet pyetja: kush e mban tani këtë ide? Kush e çon përpara? Kush përballet me pushtetin në emër të saj?
Nëse përgjigja është “askush”, atëherë ideja do të kthehet atje nga erdhi në botën e ideve, e bukur dhe e pafuqishme. Suksesi arrihet përtej vetëkënaqësisë së momentit. Arrihet vetëm kur ideja gjen dorën që e mban.
