Last Updated on 08/06/2026 by EL
Nga Sejdin Cekani
Ne shqiptarët e nisëm shekullin e ri me një bilanc të hidhur: nën ethet e ndryshimeve shkatërruam fabrika, uzina e kombinate; ndërmarrje bujqësore e plantacione me agrume e pemë të ndryshme frutore; hekurudha, vepra hidrike e deri arsenale ushtarake. Në vend që të ndërtonim mbi atë që kishim trashëguar, shpesh zgjodhëm të rrëzonim gjithçka, sikur rrënimi të ishte çlirim.
Por historia ka treguar se shkatërrimi në çdo rast merr me vete edhe kujtesën, edhe përvojën, edhe mundësinë për vazhdimësi.
Sot, dekada më vonë, duket se kjo psikozë ende gjallon në mendjet tona. Pyjet priten pa mëshirë, shtretërit e lumenjve gërryhen deri në zhdukje, kodrat zhvishen, ndërsa rrugët dëmtohen e shkatërrohen nga papërgjegjshmëria.
Natyra, që duhej të ishte aleatja jonë më e madhe në një vend të vogël e të pasur me bukuri, trajtohet si një rezervuar pa fund përfitimi të shpejtë.
Ky është paradoksi ynë: në një kohë kur bota përpiqet të mbrojë çdo burim natyror, ne shpesh sillemi sikur kemi një pasuri të pashtershme. Por çdo pemë e prerë, çdo lumë i plagosur, çdo gur i marrë nga toka pa kriter është një pjesë e së ardhmes që largohet pa kthim. Shkatërrimi i natyrës nuk është vetëm dëmtim mjedisor. Ai është varfërim moral, sepse tregon mungesë përgjegjësie ndaj brezave që do të vijnë.
Megjithatë, plagët më të thella nuk janë gjithmonë të dukshme. Në heshtje, ndoshta më egërsisht se me ekskavator, dinamit apo sharrë elektrike, po dëmtohet kultura jonë kombëtare. Në vend të përkujdesjes së vetëdijshme për trashëgiminë shpirtërore, po zotërojnë banaliteti dhe improvizimi.
Mbi të gjitha, viktima kryesore është bërë gjuha shqipe. Ajo nuk është vetëm një mjet komunikimi, por kujtesa jonë kolektive, mënyra jonë e të menduarit dhe e të ndierit. Kur ajo përdoret pa kujdes, shtrembërohet apo banalizohet, dëmtohet vetë aftësia jonë për të menduar qartë.
Fjala publike është banalizuar, botohen libra pa përgjegjësi, norma gjuhësore shpërfillet edhe aty ku duhet të mbrohet më fort: në media dhe në shkollë. Dhe harrohet se, kur shformohet gjuha, dëmtohet vetë mënyra jonë e të menduarit.
Dhe më e trishtueshmja: mësuesit, që duhet të jenë rojtarët e fjalës së shkruar e të folur, dorëzohen përpara padijes apo pakujdesisë. E kështu gjuha rënkon e vuan. Një gjuhë e plagosur prodhon një mendim të pasigurt. Dhe një mendim i pasigurt prodhon një shoqëri të paqartë për drejtimin e saj. Kjo është arsyeja pse degradimi kulturor është më i rrezikshëm se çdo shkatërrim material.
Ndërtesat mund të rindërtohen, pyjet mund të pyllëzohen sërish, ndërsa plagosja e vetëdijes kulturore dhe asaj qytetare kërkon breza për t’u shëruar.
Një komb nuk matet vetëm nga ajo që ndërton, por edhe nga ajo që zgjedh të mos shkatërrojë. Atdheu nuk humbet vetëm kur pushtohet. Ai fillon të humbasë sapo ne “harrojmë” të kujdesemi për të.
