Last Updated on 11/05/2026 by Monika
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të dhunës ndaj Sokol Tomës, duke e dënuar ashpër aktin dhe duke kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.
Në reagimin e tij publik, Ndreu e cilësoi dhunën si një sinjal negativ që dëmton dhe ndot shoqërinë, ndërsa theksoi se autorët, organizatorët apo kushdo i përfshirë në këtë ngjarje do të përballen me ligjin.
Ai kritikoi gjithashtu spekulimet dhe raportimet mediatike për “prerje veshi”, duke i konsideruar si banalizime që shtojnë ankthin dhe disinformojnë opinionin publik.
Kryebashkiaku bëri të ditur se u ka kërkuar drejtuesve vendorë të policisë angazhim maksimal për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Sipas Ndreut, Lezha nuk mund të pajtohet me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve, ndërsa apeloi për reflektim ndaj çdo gjuhe apo forme presioni e dhune që shfaqet në komunitet.
REAGIMI I PLOTË:
“Aktet e shëmtuara të dhunës janë sinjale negative që dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë. Dënoj me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj një anëtari të komunitetit lezhjan.
Kushdo që e ka menduar, organizuar apo kryer këtë akt duhet ta dijë se ligji, herët a vonë, të gjen dhe të vendos përpara përgjegjësisë. Edhe më të papranueshme janë banalitetet mediatike dhe spekulimet për “prerje veshi”, të cilat vetëm sa shtojnë ankthin dhe disinformojnë opinionin publik.
I kam kërkuar drejtuesve vendorë të policisë të bëjnë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.
Lezha nuk mund dhe nuk do të pajtohet kurrë me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë. Kushdo që perdor gjuhë të dhunshme, duhet të ndalë dhe të reflektojë pasi komunitetit lezhjan nuk ka asnjë lidhje me sjellje banale presioni dhe dhunë që herë pas here shfaqen!”/MXH
